Greqi, zjarret kërcënojnë Athinën, evakuohen banorët
Dhjetëra mijëra njerëz janë urdhëruar të braktisin shtëpitë e tyre në Athinë, ndërsa zjarrfikës nga e gjithë Evropa po përpiqen të shuajnë flakët që po i afrohen kryeqytetit grek. Re të dendura tymi kanë mbuluar Athinën deri mbi Akropolis dhe helikopterë për të shuar zjarrin kanë mbërritur nga Italia, Franca dhe Qipro. Athina ka evakuuar rreth 10.000 njerëz, banorët janë përpjekur të largohen nga zona e zjarrit në këmbë, me motoçikleta dhe makina, ndërsa dhjetëra shtëpi janë djegur. Deri tani autoritetet greke kanë njoftuar se vetëm dy njerëz kanë mbërritur në spital për t’u kuruar nga djegiet. Zona e kërcënuar kap qytetin Maraton, i cili siguron burimin kryesor të ujit për Athinën. Zjarret kanë kërcënuar edhe zonën arkeologjike të kryeqytetit Rhamnus, ku gjenden dy tempuj 2500-vjeçarë, ndërsa rojat bregdetare qëndrojnë në breg me varka për të transportuar çdo banor që mund të ketë mbetur i bllokuar në atë zonë. Autoritetet lokale po bëjnë thirrje të forta, që rreth 20.000 njerëz të tjerë që jetojnë në periferi të evakuojnë zonën. Zjarret e forta kanë dalë jashtë kontrollit të zjarrfikësve dje në Greqi, duke iu afruar gjithnjë e më shumë Athinës. Zjarri nisi të premten në fshatin Grammatiko, rreth 40 km në verilindje të Athinës dhe u përhap në fshatrat afër dhe kërcënoi edhe periferitë veriore të kryeqytetit grek. Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, ka kryesuar të shtunën një takim në qendrën e operacioneve kundra zjarrit në Athinë dhe partitë opozitare kanë nxituar në zonat e prekura për të ofruar mbështetje. “Kjo është një betejë e madhe dhe shumë e vështirë”, tha Karamanlis, duke shtuar se “prioriteti i parë është mbrojtja e jetës dhe pronave të njerëzve”. Ende pa mbërritur ndihmat nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, Greqia kishte në dispozicion të skuadrave të shuarjes së zjarrit dymbëdhjetë avionë, tetë helikopterë, 61 makina zjarrfikëse dhe 210 zjarrfikës me 38 tanke uji po përpiqen të pengojnë përhapjen e mëtejshme të flakëve deri në zonat e populluara dendur. Meteorologët parashikojnë se erërat nuk do të zbuten deri të hënën në mbrëmje. Katër vatra të tjera zjarri shpërthyen të shtunën në Greqi, në ishujt Evia, Skyros, Rhodes, në zonën qendrore të Greqisë, Viotia dhe një tjetër në ishullin Zakynthos në perëndim të Greqisë. Zjarret janë të shpeshta në Greqi, sidomos gjatë verës, ku shpesh ka temperatura të larta dhe erëra si dhe thatësirë. Qindra zjarre kanë goditur Evropën Jugore në korrik, duke shkatërruar mijëra hektarë pyje dhe dhjetëra shtëpi. Të dielën zjarret ishin vetëm disa kilometra larg qendrës së Athinës dhe kanë arritur periferitë Pallini, Penteli, Dionysus dhe Stamata, duke nxitur deklarimin e gjendjes së jashtëzakonshme. “Po përballemi me një rrezik shumë të madh”, tha kryeministri grek, Karamanlis. Ai siguroi se, “departamenti i zjarrit po bën përpjekje mbinjerëzore dhe kjo është një sfidë shumë e vështirë”. Sipas zëdhënësit të zjarrfikësve, “erërat janë shumë të forta dhe kërcënojnë me përhapje të mëtejshme të zjarrit”. Të shtunën autoritetet greke deklaruan gjendjen e jashtëzakonshme në Atikë, ku u dogjën mbi 30.000 akre pyje, fusha të mbjella dhe ullishta. Ushtria greke largoi raketat anti-avionëve nga një bazë ushtarake, ndërsa flakët po afroheshin aty. Shumë zjarre besohet se janë nisur nga piromanët.