Serbët e Kosovës “i kthejnë shpinën” Beogradit
Gjashtë subjekte politike të komunitetit serb në Kosovë kanë vendosur të garojnë për zgjedhjet e 15 nëntorit në Kosovë, duke lënë mënjanë thirrjet e përhershme të Beogradit zyrtar, që serbët e Kosovës të bojkotojnë zgjedhjet lokale. Lajmin e bënë të ditur zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës. Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, kujton se subjektet politike, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, mund të aplikojnë deri në 60 ditë para ditës së votimit. “Interesimi është nga të gjitha subjektet, përfshirë edhe komunitetin serb. Deri më tani kanë aplikuar gjashtë subjekte partiake të komunitetit serb. Kohë do të ketë ende për të gjitha subjektet që duan të marrin pjesë në zgjedhje deri në 60 ditë para ditës së mbajtjes së votimit”, tha ai. Duke pohuar se këto parti janë të regjistruara, Ajvazi sqaroi se certifikimi i tyre do të bëhet më vonë. “Ato kanë dorëzuar aplikimet për të qenë pjesë e fushatës dhe e procesit zgjedhor, pra me vetë aplikimin do të thotë se edhe do të certifikohen”, sqaroi. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës e konsiderojnë shumë të rëndësishëm interesimin e subjekteve politike serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj vlerëson se kjo është një dëshmi e mirë e integrimit të këtij komuniteti në jetën politike të vendit. “Për Qeverinë e Kosovës dhe për institucionet e Kosovës, kjo është edhe një dëshmi e vazhdës së integrimit serb në realitetin e ri të krijuar në Kosovë, pra në shoqërinë kosovare dhe në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin lokal”, tha Manaj, duke shtuar se ky veprim i partive politike serbe tregon gatishmërinë për t’u integruar dhe në jetën institucionale të Kosovës. (Evropa e Lirë)