E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skrapari në mendjen tuaj



Yzedin HIMA

Në studion e piktorit Ali Kapxhiu, në qytetin e Poliçanit, pata ndeshur një dukuri të pazakontë. Piktori Kapxhiu, krahas potreteve që krijonte sipas kredos së tij artistike, kishte punuar mjaft peizazhe të fshatrave të Skraparit. Në telajot e shpërndara në studion e tij, ndeshje fshatra të pikturuar si Vëndresha, Novaj, Vala, Koprëncka e plot katunde të njohura në Skrapar.
Në fakt, edhe në mos i kishte vizituar këto vise, natyrisht do të kishte dëgjuar për to. Nuk ka qytet në Shqipëri ku të mungojë një komunitet, sado i vogël, i ardhur nga Skrapari. Bashkë me traditat, zakonet, mentalitetin, skraparasit ruanin edhe emrin e fshatit nga vinin, krahas mbiemrit të fisit, bie fjala: Abas Ermenji, Zylyftar Veleshnja, Xhelal Koprencka, Emir Qafa, Enver Milova etj.

* * *
Piktori i ndjerë Ali Kapxhiu, duke buzëqeshur, shpjegoi dukurinë. Skraparasit, para portretit të babait, nënës, gjyshit apo portretit të tyre, porosisnin te piktori peizazhin e fshatit nga vinin.
Të gjithë ata që kërkonin fshatin e tyre të pikturuar në telajo, nuk ishin banorë aktualë, por skraparas të ikur para dhjetë, njëzetë, tridhjetë e më shumë vjetësh. Ndodhte që porositësi të qe mbesa apo nipi i gjyshit të ikur nga fshati pas Luftës së Dytë Botërore.
Zakonisht, pasi çmalleshin me fshatin e tyre në telajo, bënin edhe ndonjë vërejtje për pikturën. Herë-herë përfytyrimi i tyre për fshatin e lënë pas dikur, binte ndesh me fshatin e sotëm të braktisur, pikturuar drejtpërdrejt nga natyra nga piktori Kapxhiu.
Nëse shtëpia e tyre e dikurshme qe rrënuar, ata i kërkonin piktorit ta ngrinte aty ku kishte qënë. Nëse shtëpisë së tyre banori i ri, e cili e kishte blerë më pas, ia kishte ndërruar strehën duke hequr pllakat e hirta dhe duke vendosur tjegulla të kuqe greke, porositësi kërkonte nga piktori që çatia të shkonte në vend.
Ky i fundit dëgjonte vrejtjet dhe ndërhynte me penel në telajo. Në fund, si të thuash, skraparasi dhe piktori nga Skrapari qenë bashkëautorë në peizazhin e mbaruar.

* * *
Shpesh, peizazhet realiste të Kapxhiut transformoheshin në ekspresioniste ose në surealiste, kur porositësi kërkonte që shtëpia e tij e vogël, ajo shtëpiza në anë të fshatit, të binte më shumë në sy, krahasuar me shtëpitë e tjera të po këtij fshati.
Kush na detyron të mos mendojmë si të pasur, edhe kur nuk jemi të tillë? Skraparasit, edhe pse mund t’i mungojë pasuria, i punon fantazia.
Atëherë piktori imitonte Mark Shagallin dhe shtëpia zmadhohej e zmadhohej dhe ia kalonte malit mbi fshat, krejt si gjeli i Shagallit që mbante mbi shpinë nusen dhe dhëndërin në ditën e dasmës së tyre.
Pastaj, peizazhi i mbaruar vendosej në sallonet e vilës, të apartamentit ose në mjediset tregtare të skraparasve në Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkodër a në qytete të tjerë, brenda dhe jashtë vendit.

* * *
Po si ta shpjegojmë këtë prirje patriotike-artistike të skraparasve?
Një fotografi e fshatit, shkrepur edhe nga dora e nipit a mbesës më të vogël në të dalë të tij, do t’u kursente mjaft të holla, krahasuar me pikturat e shtrenjta të piktorit të ndjerë Ali Kapxhiu. Banorët e kësaj treve, ndonëse kanë qënë të varfër, ndonëse e kanë nxjerrë bukën nga goja e gjarpërit, siç thuhet diku në Skrapar, janë përpjekur të jetojnë bukur. Ata kanë mbijetuar ndër vite.
Të varfër dhe të vetmuar midis maleve dhe honeve, ata kurdoherë kanë synuar largimin, një largim duke marrë Skraparin me vete, atë çfarë mund të merrnin nga ky vend epik. Skraparasi largohet nga malet e tij për më tepër pasuri, për më tepër pushtet, për më tepër lavdi.
Gjatë viteve të diktaturës komuniste e vetmja mundësi për të realizuar deri diku veten dhe për t’i shpëtuar në njëfarë mënyre diktaturës së varfërisë dhe asaj të izolimit, qe puna e shtetit, me atë rrogë të vogël polici a nëpunësi. Në dallim nga myzeqari, i cili tërë jetën e shtyn në paqe me mjedisin dhe veten, skraparasi është një shpirt e mendjetrazuar, gjithmonë në kërkim të sfidave ndaj vetes dhe ndaj mjedisit.
Relievi i thyer i krahinës kësaj krahine ka disa maja e kreshta, që sundojnë mbi pllaja e hone. Cuka e Tomorit është më e larta, majë e shenjtëruar, ku mblidhen pelegrinë nga e gjithë bota.
Krahas relievit gjeografik mbresëlënës, në Skrapar gjendet edhe relievi kulturor e artistik. Balada brilante “Mbeçë, more shokë, mbeçë” vizaton dimesionin shpirtëror të banorëve të kësaj treve dhe është një kreshtë e lartë në pasurinë shpirtërore të këtij trualli, është vërtetë Skrapari në mendjen tuaj. Në lartësinë e baladës është edhe interpretimi mjeshtëror i saj nga këngëtari virtuoz Demir Zyko, i cili qe me të vërtetë “astrit i popullit”, siç thoshte vetë, diçka më lart se titulli “artist i popullit”, fituar falë talentit të tij të rrallë.
Poeti Xhevahir Spahiu, një skraparas tipik, e ngriti dimesionin shpirtëror e artistik të trevës në përmasa kombëtare dhe më gjerë në poezinë e tij. Në ditët e Poetekës, zhvilluar në qytetin e Durrësit në vitin 2007, poeti Xhevahir Spahiu, teksa fliste e fliste për poezinë, nuk harronte Tomorin, malin që e mban fort te vetja. Në dëgjim të parë dukeshin si pa lidhje fjalët e tij: “Po mos harroni, ka një mal Perëndie, Tomori, ai duket që këtu!”
Kudo që shkonte, në Shqipëri dhe në Europë, poeti Xhevahir Spahiu e shikonte Tomorin, e ndjente hijen e tij të rëndë, merrete dhe jepte me të.

* * *
Zonja e poetit Ali Podrimja, gjatë drrakes së Poetekës, tregoi: E ftuam poetin Xhevahir Spahiu në shtëpinë tone në Kosovë. Aliu më porositi që të vajisja menteshat e dyerve të shtëpisë, në mënyrë që mikut të rrallë të mos i prishej gjumi nga hapja dhe mbyllja e tyre dhe të flinte deri kur t’i delte gjumi. Vaisa tërë menteshat, por në orën pesë të mëngjesit Xhevahiri doli në oborr.
“Pse u ngrite shpejt?”, e pyeta. “Aliu më porositi të vajisja të gjitha menteshat e dyerve, vetëm e vetëm të mos zgjoheshe.”
“Mirë, moj zonjë e Aliut”, m’u drejtua Xhevahiri, “mirë ke bërë që i ke vajisur menteshat, por nuk teproi një pikë vaji t’ia hidhje Aliut në gërmaz?!”
Janë një mijë e një fije që e lidhin poetin modern Visar Zhiti me Skraparin. Babai i tij, i ndjeri Hekuran Zhiti, poet dhe aktor, u lind në fshatin Milovë të Skraparit. Një shpirt i madh njeriu dhe poeti mund të shkruajë pas një odiseje vuajtjesh një varg të pakrahasueshëm, si ky i Visar Zhitit: “Kur gjysma ha gjysmën, nuk mbetet e tëra!”
Thuhet se edhe poeti dhe prozatori i talentuar Arian Leka, i lindur në Durrës, është me origjinë nga Skrapari. Drejtori i Poetekës së famshme, mitingut poetik ndërkombëtar që zhvillohet në Shqipëri, shkruan një poezi dhe prozë mjaft të pëlqyer nga lexuesi i sotëm. Aroma e vreshtave të Skraparit shkon e vjen në poemat e tij.

* * *
Skrapari është gjithkund në Shqipëri, në art, në fe, në biznes, në politikë. Para së gjithash, Skrapari është në mendjen tuaj.

Gusht, 2009

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›