E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha rreshton ministrat për 1 Qershorin

Kryeministri Sali Berisha u bën rreshtore ministrave në ditën e fëmijëve. 1 Qershori ka mbledhur pjesën më të madhe të ministrave në Galerinë e Arteve, ku Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij po festonin me fëmijët me aftësi të kufizuara. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ministri i Kulturës, Ylli Pango, kanë qenë dje prezentë në aktivitetin e zhvilluar për fëmijët nga bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha. Dje, në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, u çel ekspozita e fëmijëve me aftësi të kufizuara me moton: "Arti, gjuha jonë e përbashkët". Kjo ekspozitë, u organizua nën kujdesin e Liri Berishës, ku ishin të pranishëm edhe një pjesë e mirë e ministrave të kabinetit "Berisha". Përpos pushimeve verore, anëtarëve të qeverisë po u prishet edhe qetësia e së dielës, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme. Fushata e nisur prej Kryeministrit Berisha nëpër rrethe "Shqipëria në NATO" ka tërhequr pas shefit të qeverisë edhe anëtarët e kabinetit. Ministrat Sokol Olldashi dhe Ylli Pango kanë shoqëruar pothuajse në të gjitha aktivitetet Kryeministrin Berisha nëpër rrethe. Javët e fundit kanë qenë të ngjeshura me inaugurime e përurime rrugësh parësore dhe dytësore në veri dhe jug të vendit. Ky vit për demokratët do të cilësohet si viti i fushatës dhe i impenjimeve brenda PD-së, sidomos të ministrave, të cilët duhet të tregojnë sukseset e qeverisë. Aktualisht, partia në pushtet e ka përqendruar vëmendjen e saj në dy drejtime kryesore. Së pari, në rifreskimin e strukturave dhe fillimin e përgatitjeve për t‘u paraprirë masave që do të merren për zgjedhjet e 2009-ës dhe së dyti, në reklamimin e punës trevjeçare të qeverisë. Grupet e punës që janë ndarë sipas zonave elektorale do të fillojnë axhendën e planifikuar të takimeve shumë shpejt për të përcjellë mbi të gjitha në bazë punën e deritanishme të qeverisë. Kryeministri Sali Berisha është shprehur se elektorati i djathtë duhet të jetë në dijeni të asaj çka qeveria po bën, ndaj dhe takimet duhet të përqendrohen kryesisht në këtë drejtim. Në këtë mënyrë, pas shumë muajsh, Partia Demokratike ka mbledhur zyrtarisht një pjesë të forumeve të saj, duke e trajtuar kësaj here takimin,si organizativ, pa u përqendruar shumë në objektivat politikë që kjo parti do të ndërmarrë në të ardhmen. Prej disa ditësh, Kryeministri Sali Berisha ka filluar një tur nëpër rrethe me sloganin "Shqipëria në NATO". Pothuajse në çdo takim, Kryeministri Berisha ka radhitur të gjitha ato që ai i cilëson si arritje të qeverisë së tij, duke u shprehur në të njëjtën kohë se qeveria që ai drejton është ajo e duarve të pastra dhe e premtimeve. E njëjta frymë, sipas Berishës, duhet të përcillet edhe nga deputetët në popull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›