PS, sot vendoset për mocionin e shkarkimit të Topallit
Partia Socialiste do të marrë sot vendimin zyrtar mbi mocionin e shkarkimit të Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. Shkak i kësaj kërkese, sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, është bërë marrja e kompetencave të institucioneve të tjera nga Kryeparlamentarja Topalli, siç ka ndodhur kohët e fundit, ku ajo është përpjekur të marrë kompetencat e Prokurores së Përgjithshme. Gjatë një konference për shtyp, Braçe dje ka theksuar se forumet drejtuese të PS-së do të marrin një vendim lidhur me shkarkimin e Kryetares së Parlamentit, Topalli. Deputeti Braçe e ka akuzuar Kryetaren Topalli se po e kthen Kuvendin në një gjykatë. "Sot do të merret një vendim mbi mocionin e shkarkimit të Topallit, e cila dita ditës po merr kompetencat e Kryeprokurores. Berisha dhe Topalli janë kundër ndarjes së pushteteve dhe po pengojnë prokurorinë të hetojë ngjarjen e Gërdecit. Kuvendi duhet ta braktisë rolin e gjykatës speciale", është shprehur Braçe para gazetarëve. Duke mos i ndarë nga njëri-tjetri në "luftën" politike që ata po bëjnë, Braçe tha se "Sali Berisha dhe Jozefina Topalli kanë shpallur luftë me veprime të qarta dhe të qëllimta politike në institucionet që drejtojnë politikisht, institucioneve të angazhuara për të zbuluar, goditur dhe ndëshkuar korrupsionin, veçanërisht luftë ndaj atyre që po hetojnë krimin e shekullit me 26 të vrarë dhe 300 të plagosur. Qëndrimi i Sali Berishës dhe Jozefina Topallit kundër prokurorisë, caktimit të një kufiri kriminal në rangun e vrasjeve, deri ku duhet të arrijë akuza dhe mbrojta ballazi e të dyshuarve për këtë krim, tregojnë qartë gjithëpërfshirjen e shtetit politik të Sali Berishës në këtë krim dhe jo pafajësinë e tij". Debati mes opozitës dhe Kryetares së Kuvendit, Topalli, ka ardhur një ditë pas botimit në "Shqip" të një shkrimi ku i kujtohej opinionit publik se Kryeparlamentarja po mbante peng votimin e emrave të kandidatëve për Gjykatën e Lartë të dekretuara nga Presidenti Topi. Pas këtij lajmi, kryetari i PS-së, Rama, artikuloi pas një heshtjeje të gjatë sërish mocionin e shkarkimit të Kryeparlamentares Topalli. Deklaratë e cila është përforcuar dy ditë më parë edhe nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së ka denoncuar qëndrimin e Kryetares së Kuvendit ndaj dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. "Ne prisnim nga Jozefina Topalli reflektim lidhur me këtë çështje, reflektim që do të çonte jo në brutalitetin provincial, që u shpreh në deklaratën e bërë përmes zëdhënëses për shtyp, po në zgjidhje", është shprehur dy ditë më parë Leskaj. Numri një i grupit socialist nuk e ka mbështetur deklaratën e bërë nga zëdhënësja e Topallit se po mblidhte të dhëna për kandidatët e Gjykatës së Lartë. Sipas Leskajt, dhënia e pëlqimit nuk do të thotë mbledhja e të dhënave për kandidatët, nuk do të thotë kërkim i provave të pafajësisë nga Kryetarja. Ndërsa ka shtuar se ky veprim i saj është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe se pritej distancim e jo heshtje fajësuese nga Sali Berisha gjithashtu. PS-ja konstaton se shkelja e të drejtave themelore të njeriut dhe cenimi i personalitetit që ka ndodhur në rastin e 5 kandidatëve, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, bëhen më të rëndë kur këto vepra kryhen nga Kryetarja e Kuvendit dhe për një dekret të Presidentit të Republikës. Grupi parlamentar i socialistëve ka vlerësuar nevojën e reformave në vend dhe për këtë është bërë iniciues i paktit për reformat në drejtësi, por sipas Leskajt, reformat humbasin vlerën kur vazhdon presioni për të kapur institucionet e pavarura, kur nuk respektohet pavarësia e tyre. Selia rozë ka siguruar se nuk bën pakt për pakt, por një reformë serioze që garanton pavarësinë e drejtësisë, që përmirëson cilësinë e sistemit të shërbimit të qytetarëve.