E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha s’i ka ofruar postin e Presidentit opozitës

Nga Express më 21 qershor 2011 në ora 18:45

Kryeministria shqiptare përgënjeshtron dy të përditshme, të cilat aludonin se kreu i qeverisë i ka afruar Presidentin PS-së: Ky lajm është një rekord dezinformimi.

Kjo deklaratë e kryeministrit Berisha, e cila u bë në kuadër te ofertës që ai propozonte për Partinë Socialiste lidhur ngushtë me plotësimin e12 kritereve të Bashkimit Europian, është keqinterpretuar nga dy të përditshme kryesore në vend, gazeta “Mapo” e “Panorama”, të cilat i kanë vënë në gojë kryeministrit një ofertë që ai nuk e ka artikuluar, siç shkruanin këto gazeta, se shefi i mazhorancës i dorëzon opozitës të drejtën për zgjedhjen e Presidentit.

Kryeministri Berisha me anë të zëdhënëses së tij ka reaguar duke përgënjeshtruar dy të përditshmet, ndërsa e ka cilësuar dezinformimin e tyre rekord. Qëndrimi i kryeministrit është se Presidenti i Republikës do të zgjidhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.

“Kryeministri Berisha nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë. Kjo deklaratë është kryekëput trillim i këtyre mediave që thjesht shënon një rekord dezinformimi mediatik. Kryeministri ka qenë dhe është i palëkundur në qëndrimin e tij për respektimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës do të zgjidhet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë.

Në 12 kriteret e Bashkimit Europian përfshihet si kandidaturë që duhet zgjedhur me domosdoshmëri ajo e Avokatit të Popullit dhe ajo kërkon shumicën e cilësura të votave.

Oferat e mazhorancës për propozimin e kandidaturës nga opozita është bërë që vitin e shkuar, por opozita e ka refuzuar atë.

Ndërsa zgjedhja e Presidentit të Republikës, pas ndryshimit konsensual të Kushtetutës në prill të 2008-ës, parashikon zgjedhjen e tij me raunde dhe në rast të dështimit të zgjedhjes së kreut të Shtetit me shumicë të cilësuar në tre raundet e para, në raundi e katërt ai zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Për me tepër Kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit flasin qartë për kandidatë alternativë të domosdoshëm në garë, ndërkohë që kryeministri Berisha foli të hënën në grup parlamentar për votimin të propozimeve të socialistëve për kandidatët me 3/5-at, ndërsa demokratët nuk do të paraqesin alternativë nga ana e tyre.

Por të dy gazetat shkojnë dhe më tej, kur duke devijuar nga fjala e kryeministrit flasin si mundësi për propozime nga opozita edhe kandidaturat që zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend e që vijnë si propozime nga Presidenti i Republikës, siç janë ato të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë apo dhe kreut të KLSH-së.

Si përfundim bazuar edhe në kriteret që Parlamenti duhet të përmbushë në kuadër të integrimit në BE janë zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, si ai për Gjykatën Administrative, dhe ndryshimet në Kodin Penal, Rrugor, Civil, dhe Doganor. /abcnews/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›