E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama pritet të vendosë mbi rolin e SHBA në Afganistan

Nga Express më 21 qershor 2011 në ora 21:43

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Barak Obama do të shpallë nesër vendimin e tij mbi numrin dhe ritmin e reduktimit të trupave amerikane në Afganistan. Vendimi pritet të vijë në një kohë që vendi është lodhur nga luftërat dhe jetët e humbura, dhe ekonomia ka ende probleme.

Në varrezat kombëtare të Arlingtonit në Ditën e të Rënëve, presidenti Obama, pasi vuri një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur, u ndal në seksionin 60, ku ndodhen varret e trupave që humbën jetën në Afganistan dhe Irak.

Kjo ishte kujtesë e prapaskenës së zymtë të vendimit se sa prej 100 mijë trupave në Afganistan do të fillojnë të tërhiqen në korrik.

Zoti Obama e prezantoi planin për fillimin e tërheqjes në korrik kur bëri të njohur strategjinë e tij të përgjithshme për Afganistanin në dhjetor 2009.

Edhe pse presidenti dhe komandantët ushtarakë vënë në dukje suksesin që kanë pasur në largimin e Talebanit nga pikat kyçe të kontrolluara prej tyre, komandantët ushtarakë janë të shqetësuar nga numri në rritje i viktimave.

Ashtu sikurse presidentët e tjerë që kanë drejtuar luftëra jopopullore, presidentit Obama nuk i kanë munguar këshillat nga kongresi.

Demokrati Xhon Keri është kreu i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë interesa të sigurisë kombëtare në Afganistan, përkushtimi ynë i tanishëm me trupa dhe para, nuk është në proporcion të drejtë me interesin tonë dhe nuk është i qëndrueshëm, sipas mendimit tim.”

Senatori republikan Lindsi Graham e quajti modelin e tanishëm të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në Afganistan si biletë për kthimin e trupave amerikane.

Në programin televiziv “Takim me Shtypin” të rrjetit NBC, ai paralajmëroi se tërheqja nuk duhet të jetë e përshpejtuar pavarësisht se kongresi amerikan po e kundërshton këtë luftë gjithnjë e më shumë.

“Nëse e përshpejtojmë tërheqjen vetëm se nuk duam luftë, ne do ta humbim këtë luftë.”

Një tjetër republikan, senatori Riçard Lugër, i bëri thirrje zotit Obama t’u ofrojë amerikanëve një plan gjithpërfshirës që të përmbajë një nocion suksesi.

“Pyetja më e rëndësishme është a kemi ne një strategji efikase për mbrojtjen e interesave qenësore ku nuk përfshihen shpenzime masive pa kufi dhe të cilat nuk na detyrojnë të besojmë tek institucionet afgane më shumë se duhet.”

Vendimi i presidentit Obama vjen ndërkohë që publiku është i pakënaqur me luftën në Afganistan.

Në Baltimorë të shtetit Merilend, Konferenca amerikane e Kryetarëve të Bashkive miratoi një rezolutë ku bëhej thirrje që miliarda dollarë shpenzime lufte të përdoreshin për nevojat në vend.

Kohët e fundit në Pentagon, Sekretari i Mbrojtjes në largim Robert Gejts foli për padurimin e amerikanëve.

“Pakënaqësia dhe lodhja nga lufta mendoj se ka ndikuar tek të gjithë ne. Çështja është se si duhet përfunduar misioni, ashtu siç kemi bërë në Irak, në mënyrë të tillë që interesat e sigurisë kombëtare amerikane dhe populli amerikan të mbrohen dhe duke kontribuar drejt stabilitetit.”

Përveç sekretarit të ardhshëm të Mbrojtjes Leon Paneta, krerët civilë dhe ushtarakë që do ta zbatojnë vendimin e presidentit Obama do të emërohen së shpejti.

Aty përfshihen gjenerali i marinës Xhon Allen, komandanti i ri amerikan në Afganistan dhe Rajën Krokër, ambasadori i ri amerikan në Kabul. /voa/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›