Berisha shkruan editorial
Sa herë e kemi dëgjuar kryeministrin Sali Berisha të sulmojë kundërshtarin e tij pse shkruan editoriale? Tani edhe vetë kryeministri Sali Berisha ka shkruar një editorial. Po jo për mediat shqiptare, por për një gazetë që raporton për çështjet e Kongresit Amerikan. The Hill, një gazetë me tirazh të ulët, i ka lënë një hapësirë Berishës për të shkruar për faktin që shqiptarët mbrojtën hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore. Berisha shkruan se në fillim të LDB ishin vetëm 200 hebrenj në Shqipëri, ndërkohë që në fund ishin 2 mijë. Kryeministri kanadez Stephen Harper ka thënë se arsyeja e këtij shembulli të shkëlqyer është besa.
Besa për shqiptarët, që nga kryeministri deri tek një punonjës poste, nënkupton kodet më të larta etike në vend. Besa do të thotë që të mbash fjalën e të kujdesesh për njerëzit e tu, burra e gra, nuk ka rëndësi nga vijnë apo çfarë besojnë, në mënyrë që njerëzit në nevojë të na besojnë jetën e tyre, shkruan Berisha në editorial.
Si kryeministër i Shqipërisë, nuk them që virtytet dhe vlerat që bashkëatdhetarët e mi shfaqën, janë unike për traditën tonë. Historia tregon se në shumë vende- mes tyre në Poloni, Holandë, Norvegji, Francë, Itali dhe vetë në Gjermani- kishte njerëz të drejtë që shpëtuan hebrenjtë dhe anëtarët e pakicave të tjera, të rrezikuar nga tmerret e Holokaustit.
Shembujt e këtyre heronjve nga kaq shumë shoqëri duhet të na udhëheqin, ndërkohë që sot përpiqemi individualisht dhe kolektivisht që ti përgjigjemi thirrjes së Obamës që Kurrë më është një sfidë për kombet. Në emër të Shqipërisë, një komb i brutalizuar nga pushtimi nazist dhe tirania komuniste dhe i traumatizuar nga mizoritë etnike gjatë viteve 90, unë dëshmoj për historinë dhe shpresoj se krimet më të këqija kundër njerëzimit sërish të mund të nxjerrin më të mirën e shpirtit njerëzor. Le të gjejë çdo komb besën e tij dhe ta ndjekë atë, mbyll shkrimin Berisha.