E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Në samitin e UNESCO- s të jetë edhe Kosova

Bosnje- Në përfundim të samitit të të 10-të rajonal të UNESCO-s Presidenti Bamir Topi, ka deklaruar se miratimi i Deklaratës së Përbashkët shpreh rindërtimin e marrëdhënieve dhe dialogut politik mes shteteve të rajonit

Së pari, dëshiroj të falënderoj edhe njëherë Presidentin Izetbegoviç për mikpritjen që na ka rezervuar në qytetin e vjetër dhe simbolik të Mostarit! Patjetër që ky ka qenë një takim mjaft i frytshëm. Në përfundim ne pamë disa pamje të një dokumentari që ishte shumë domethënës, – brenda pak çastesh u shkatërrua një nga monumentet më të rëndësishme të njerëzimit dhe u deshën shumë vite për ta rindërtuar. Ajo që ka ndodhur gjatë këtyre viteve në rajonin tonë është e paimagjinueshme. Pra, është rindërtuar dialogu politik, janë rindërtuar marrëdhëniet dhe për këto ne jemi krenarë- ka deklaruar ai.

Më tej ai ka thënë se të gjithë ne presim që secili në vendin e vet të ketë mundësi që të restaurojë veprat që janë trashëgimi kulturore e brezave. Sipas tij restaurimi i veprave është me shumë rëndësi të kryeht edhe në Kosovë, dhe ka kërkuar që dhe ajo të jetë pjesë e këtyre takimeve.

“Ne e shikojmë me shumë rëndësi restaurimin e veprave që janë pjesë e trashëgimisë botërore dhe në Kosovë, por ende është e pakuptueshme dhe nuk shkon pikërisht me mendësinë që duhet të shoqërojë politikën e kohëve moderne të vendeve të Ballkanit që Kosova ende nuk është e pranishme në këto tryeza. Kështu që unë do të jepja opinionin tim që, në të ardhmen politika e komunikimit dhe në funksion të vlerësimit të trashëgimisë kulturore duhet që patjetër të kishte në gjirin e vet edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës! Edhe një herë ju falënderoj për këtë komunikim të nderuar kolegë dhe uroj që në të ardhmen ky bashkëpunim do të jetë akoma më i frytshëm nën kujdesin e UNESCO-s,- tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›