E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore: Kjo situatë sështë parë prej 35-40 vitesh! Rama po vjell vrer e po fërkon duart

Share

Kryeministri Sali Berisha mblodhi pak minuta më parë qeverinë me qëllim për të ju përgjigjur situatës së krijuar pas reshjeve të borës në verilindje dhe juglindje të vendit. Kreu i qeverisë tha se është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura nga reshjet e borës dhe bllokimi i rrugëve. Ai tha se agresiviteti i natyrës prej mëse një jave ka marrë përgjigje me veprime të ngjashme me kushtet e emergjencës.
Reshjet në ndonjë rreth arrijnë edhe në 2 deri në 2.5 metra. Reshje që vazhdojnë me intensitet të madhe dhe të pandërprerë në Qarqet e Shkodrës, Kukësit, Peshkopisë, Elbasanit, Korçës por në mënyrë të veçantë janë të mëdha në Qarqet Shkodër, Kukës e Peshkopi, tha kryeministri.
Sipas tij nga dje në drekë deri sot orteqet dhe reshjet kanë bllokuar edhe rrugët kombëtare siç është rruga Bajram Curri-Fierzë, Krumë-Kukës e rrugë të tjera për të cilat ministri do informojë me më hollësi.
Qeveria ngriti në kohë komitetin qeveritar dhe e trajtoi problemin me të njëjtën standard të një emergjence civile. Gjatë javës që po kalon ka pasur angazhim total të qeverisjeve vendore, këshillave, kryepleqve, qarqeve, kryetarëve të bashkive, një angazhim total të komitetit të emergjencave civile të kryesuar nga zoti Nishani dhe forcave të armatosura e policisë së shtetit, theksoi Berisha.
Situata tha ai megjithë agresivitetin e saj në tërësi është përballuar. Dje ka qenë viktima e parë e lidhur direkt me hipoteminë, dy punonjës të një kompanie telefonike private janë nisur pardje për të rivendosur antenat në një maje mjaft të lartë dhe kanë mbetur në borë. Mbi 100 forca nga ora 9 e mëngjesit të djeshëm deri vonë në darkë u angazhuan në shpëtimin e tyre. Ata u gjetën dhe njëri prej tyre duket se po e kalon por tjetri megjithë ndihmën serioze mjekësore ndërroi jetën, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se në emër të qeverisë, duke u shprehur solidaritetin më të madh banorëve të zonave me reshje të mëdha dëbore, qeverive vendore bën thirrje që në mënyrë të programuar të bëhet gjithçka për të parandaluar çdo kërcënim dhe humbje jete të qytetarëve në komunitetet e tyre.
Një nga rreziqet më eminente në këto raste janë shembja e çative nga sasitë e mëdha të dëborës. Sigurisht nuk po them asgjë të re për banorët e këtyre zonave por po e theksoj sepse ka jo pak familje të cilat vet nuk kanë mundësi të kryejnë shërbimet e duhura në këto rrethana. Ndaj është në tagrin dhe dinjitetin e qeverisjeve vendore të asistojnë. Bora me 2 metra, 1.5 përbën bllokim real të lëvizjes dhe problem serioz të furnizimit ndaj dhe duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona ne japim mundësi për marrjen e masave më të shpejta për hapjen e të gjitha rrugëve të komunave dhe fshatrave të zonave ku ka reshje të mëdha, tha Berisha.

Duke replikuar me deklaratat e opozitës dhe kritikat e bëra ndaj qeverisë ai tha se në këtë përpjekje njerëzit e qytetëruar janë të bashkuar ndërsa ata që nga strofulla e tyre fërkojnë duart dhe gëzojnë duke vjell vrer nga mëngjesi deri në darkë me shpresën se do mund të qëmtojnë vota mbi mundimin dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë të krijuar nga një situatë natyrore e paparë të paktën 35-40 vitet e fundit dëshmojnë se rendin jo në dëborë por në kënetën e primitivizmit të tyre. Ndaj dhe u them sonte se sigurisht që është një situatë jo e lehtë pasi pothuajse gjysma e territorit të vendit është e rrethuar, e mbuluar nga sasi të mëdha dëbore, temperatura të ulta, por ne do bëjmë gjithçka ti kapërcejmë. Do bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të dalin e të mbrojmë jetët e tyre në rradhë të parë./lajmifundit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›