E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shpall qeverinë e re, rokadë ministrave të PD-së

Kryeministri: “Basha dhe Meta, ujdi për integrimin europian”. Kreu i qeverisë shton një post ministri për Genc Pollon

Eljona Ballhysa
Kryeministri i sapodekretuar, Sali Berisha, shpalli dje kabinetin e ri qeveritar me të cilin do të qeverisë vendin gjatë këtij mandati të dytë katërvjeçar. Kreu i qeverisë, përveç ministrave të bërë publik dhe që u përkasin partive aleate, ka ruajtur shumicën e ministrave të kabinetit të kaluar, ndërkohë që ka shtuar disa emra të rinj të përzgjedhur nga radhët e Grupit Parlamentar të PD-së. Gjatë fjalës së tij, Berisha, ndërsa ka bërë të ditur se ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, emërohet në postin e ministrit të Brendshëm, është shprehur se mes tij dhe Ilir Metës, i cili do të drejtojë Ministrinë e Jashtme, mund të ketë pasur një ujdi për të bashkëpunuar për procesin e integrimit europian. “Nuk ka ekzistuar në mënyrë absolute asnjë ujdi në të shkuarën midis Berishës dhe Metës, midis LSI-së dhe PD-së. Por këtë nuk e them dot 100% midis Metës dhe Bashës. Ata këtë proces të rëndësishëm për shqiptarët do ta çojnë përpara për shkak se pyetësori i BE-së, rreth 80% të pyetjeve e ka për dy dikasteret në fjalë, Ministrinë e Jashtme dhe atë të Brendshme”, - është shprehur Berisha. Kryeministri më tej ka vënë theksin në dy prej reformave parësore të qeverisë së re, që është lufta kundër korrupsionit, e cila konsiston kryesisht në miratimin e ligjit që ua heq veturat deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë, si dhe reforma në sistemin e Shëndetësisë. Ndërkaq, Berisha është shprehur se prioritet i qeverisë mbetet integrimi në BE dhe premtoi se brenda vitit të parë të mandatit qeverisës, qeveria e tij do të bëjë të mundur liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptare me vendet e BE-së.
Qeveria e re
Qeveria e re do të vazhdojë të drejtohet nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili u dekretua dje nga Presidenti i Republikës. Ndërsa ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar do t’i dërgohen sot për dekretim kreut të shtetit. Brenda dhjetë ditëve, kryeministri, qeveria e re dhe programi qeverisës do të miratohen në Kuvend. Berisha bëri publike dje gjatë konferencës për shtyp se postin e ministrit të Drejtësisë do ta mbajë Bujar Nishani, i cili gjatë këtyre viteve ka drejtuar Ministrinë e Brendshme. Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Në postin e ministrit të Bujqësisë Berisha emëroi Genc Rulin. Ky i fundit, gjatë katër viteve të kaluara, ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, post ky që i kalon Dritan Priftit të LSI-së. Gjatë fjalës së tij Berisha vlerësoi punën e bërë nga ish-ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Në postin e ministrit të Mbrojtjes kryeministri emëroi Arben Imamin, i cili në këto katër vite ka drejtuar kabinetin e këshilltarëve të Berishës. “Arben Imami është një nga themeluesit e PD-së dhe nënkryetar i kësaj partie në vitet e para të saj, bashkëpunëtor i ngushtë i imi në këto vite, bashkëpunëtor i të gjitha reformave”, - është shprehur Berisha, ndërsa falënderoi ish-ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Në postin e ministrit të Arsimit Berisha emëroi Myqerem Tafajn, i cili ka mbajtur postin e këshilltarit të Berishës për arsimin. Tafaj është njeriu që ka hartuar në këto vite reformën e PD-së për arsimin dhe veçanërisht për Akademinë e Shkencave. Gjatë fjalës së tij Berisha vlerësoi punën e bërë nga ish-ministri i Arsimit, Fatos Beja. Në postin e ministrit të Punës dhe çështjeve Sociale Berisha emëroi deputetin e PD-së, Spiro Ksera. Berisha tha se me Spiro Kserën përfaqësohet në qeveri minoriteti grek. “Kam shumë kënaqësi që minoriteti përfaqësohet në qeverinë time. Unë kam ftuar PBDNJ-në, e cila për disa probleme nuk iu përgjigj ftesës. Nuk mund të krijoja kabinet pa faktuar se ka përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri”, - është shprehur Berisha. Në postin e ministrit të Kulturës Berisha emëroi deputetin e PD-së, Ferdinand Xhaferraj, duke shprehur besimin se kjo ministri do të drejtohet me kompetencë.
Ndërkaq, Berisha rikonfirmoi në postet e tyre ministrër të Transporteve Sokol Olldashin, ministër të Financave Ridvan Boden dhe ministre të Integrimit Majlinda Bregun. Për shkak se postin e zëvendëskryeministrit e mban Ilir Meta, Berisha ka shtuar një post ministri Shteti, i cili do të drejtohet nga Genc Pollo. Funksioni i tij do të jetë të mbajë lidhjet midis qeverisë dhe Parlamentit. Në bazë të marrëveshjeve me aleatët, LSI-ja, ashtu siç është bërë publike, merr Ministrinë e Jashtme, që do të drejtohet nga Ilir Meta, Ministrinë e Ekonomisë, që do të drejtohet nga Dritan Prifti dhe Ministrinë e Shëndetësisë, që do të drejtohet nga Petrit Vasili. Partia Republikane merr në bazë të marrëveshjes Ministrinë e Mjedisit, që do të drejtohet nga Fatmir Mediu. Ndërkaq, aleatja më e re e PD-së, partia e komunitetit çam, PDI, nuk do të përfaqësohet në qeveri me post ministror për shkak se sipas Berishës votat që ka fituar nuk janë në proporcion me këtë post. Berisha ka premtuar se PDI-ja do të jetë pjesë e qeverisjes, duke nënkuptuar postet e zëvendësministrave.

Kabineti

Sali Berisha, kryeministër
Ilir Meta, zv.kryeministër, ministër i Punëve të Jashtme
Lulzim Basha, ministër i Punëve të Brendshme
Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë
Arben Imami, ministër i Mbrojtjes
Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës
Ridvan Bode, ministër i Financave
Genc Ruli, ministër i Bujqësisë
Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë
Spiro Ksera, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale
Majlinda Bregu, ministre e Integrimit
Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit
Ferdinand Xhaferaj, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Genc Pollo, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Kuvendin
Sokol Olldashi, ministër i Transporteve
Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›