E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratat e kuqezinjve para ndeshjes



Lorik Cana: “Është kundërshtari qe ka pasur me shumë sukses deri tani dhe që ka shpresat me të mëdha për ta kapur kreun e grupit. Nga ana jonë ne jemi në rrugën dhe logjikën që të përparojmë si Kombëtare dhe si skuadër. E rëndësishme është të vazhdojmë rrugën që kemi nisur dhe të përgatitemi për të ardhmen”.

Erjon Bogdani: “E rëndësishme është qe të lozim si ekip mirë. Do të ishte diçka e bukur nëse unë do të shënoja përsëri edhe në këtë ndeshje. Megjithatë më shumë rëndësi ka të luajmë një futboll të bukur përpara tifozëve tanë. Jemi të qetë përpara kësaj sfide. Para publikut tonë lozim shumë mirë”

Hamdi Salihi: “Vlera dhe vështirësia e takimit dihet, pasi luajmë me kryesuesen e grupit dhe për ne duhet të tregojmë vazhdimësi. Është shumë e rëndësishme për ne pasi një rezultat i mirë dhe vazhdimësi e ndeshjeve të mira na krijon besim për startin e eliminatoreve të tjera. Do të bëjmë një lojë sulmuese”.

Armend Dallku: “Morali i ekipit është vërtetë shumë i mirë. Ne nuk kemi çfarë të humbasim kundër Danimarkës, pasi luajmë për prestigjin tonë, për një lojë më të bukur dhe për të kënaqur tifozët.“Danezët janë të rrezikshëm edhe nga goditjet standarde. Duhet t’i eliminojmë faullet në kufijtë e zonës sonë”.

Debatik Curri: “Do jetë një sfidë e vështirë. Kjo për faktin se vijmë nga një fitore e bujshme dhe dëshirojmë që këtë energji pozitive ta transmetojnë në takimin ndaj Danimarkës. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të kërkojmë revanshin tonë për humbjen e 1 prillit në Kopenhagen”.

Ansi Agolli: “Tri ndeshjet e fundit kemi zhvilluar lojëra shumë të mira. Danimarka është e parë në grupin tonë dhe do të vijë në Tiranë me synimin për të marrë trepikëshin. Normalisht, janë ata që ndihen nën presion. Nëse dalim në lojën tonë, siç e kemi treguar me Suedinë apo Portugalinë, i hapim punë çdo ekipi”.

Klodian Duro: “Danimarka është një ekip që kërkon impenjim të madh, sepse jo më kot është kryesuesja e grupit. Ata janë një skuadër e organizuar, por ne mund t’ia dalim mbanë. Ndryshe nga përballja e fundit me ta ku humbëm 3-0, por në fakt zhvilluam edhe një lojë të dobët, Shqipëria këtë herë ka ndryshuar shumë”.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›