E Shtunë, 31 Tetor 2026

Planifikimi i territorit, gjobat kur shkelet leja

14/10/2011  Saksioni nga 100 mijë lekë deri 10% të vlerës totale të punimeve, për lejen e ndërtimit mbi 5 milionë lekë

Ligji i ri për planifikimin e territorit sanksionon një sërë gjobash në rast se do të vërehet një tejkalim nga leja e ndërtimit apo kushte të tjera të përcaktuara më parë. Ligji i ri ka hyrë në fuqi më 30 shtator dhe rëndësia e tij për strukturat e bashkive dhe komunave është akoma më e madhe deri në miratimin e akteve nënligjore që do të rregullojnë fusha të caktuara. Nëse do të vërehen shkelje të lejes së ndërtimit, autoriteti vendor përgjegjës i inspektimit ka të drejtë të vendosë gjoba që variojnë nga 50 mijë lekë për shkelje të afatit të fillimit të punimeve deri në 5 milionë lekë për vazhdim të punimeve me gjithë vendimin administrativ për pezullimin ose ndërprerjen e tyre. Ndërkaq në rastet e shkeljes së lejes së ndërtimit gjobat variojnë nga 100 mijë lekë deri në 10% të vlerës totale të punimeve, për lejen e ndërtimit mbi 5 milionë lekë.

Sanksionet dhe autoriteti

Autoriteti kombëtar i inspektimit vendos gjobat për shkeljet e konstatuara në nivel kombëtar dhe kontrollon zbatimin e dispozitave të këtij ligji nga autoriteti vendor i inspektimit. Ai ushtron detyrat e tij për çështje të rëndësisë kombëtare në planifikimin dhe kontrollin e zhvillimit të territorit, kur konstaton shkelje të dispozitave të ligjit dhe kur ato nuk janë ushtruar nga autoriteti vendor i inspektimit. Masa e gjobës përcaktohet, në çdo rast, në përpjesëtim të drejtë me natyrën e kundërvajtjes së konstatuar, me përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje të zyrtarit ose të kundërvajtësit dhe me faktin nëse kundërvajtësi është përsëritës apo jo. Në rast përsëritjeje të kundërvajtjes, kundërvajtësi dënohet me dyfishin e vlerës së gjobës. Organet e pushtetit vendor marrin një fuqi më të madhe me anën e këtij ligji dhe sidomos në kryerjen e inspektimeve me qëllim parandalimin e zhvillimeve të paautorizuara në territor apo të shkeljeve të kushteve të lejeve. Aktet e nxjerra nga autoritetet e inspektimit gjatë veprimtarisë së tyre ose të ankimit botohen në regjistër e sipas mjeteve tradicionale të informimit. Të dhënat e përmbledhura dhe konkluzionet e veprimtarisë së inspektimit janë pjesë e raportit vjetor mbi zhvillimet në territor.

Periudha kalimtare

Më e rëndësishmja dhe që kërkon më shumë kujdes është periudha kalimtare. Bashkitë dhe komunat duhet të jenë të kujdesshme dhe duhet të kenë të miratuara projektet e tyre të planifikimit vendor jo më vonë se 2 vjet nga data e fillimit të efekteve të plota të ligjit të planifikimit. Kjo do të thotë se të gjitha planet e përgjithshme vendore, sikurse edhe planet e përdorimit të tokës për njësitë me 10 mijë ose më pak banorë, duhet të miratohen brenda datës 30 shtator 2014.

Korrigjimi i kundërvajtjeve

Në vendimin për miratimin ose refuzimin e pjesshëm apo të plotë të lejes, autoriteti përgjegjës i planifikimit kërkon kryerjen e një ose të të gjitha veprimeve për të korrigjuar kundërvajtjet e vëna re. Kështu ai mund të shembë, prishë ose heqë të gjithë ndërtimin ose pjesë të tij, të ngrejë ose ringrejë një ndërtim në tërësi ose në pjesë të caktuara, t’i ofrojë aksesin e duhur një zhvillimi të paautorizuar ose një zhvillimi pranë tij, të cilit i është hequr, penguar ose bërë i papërshtatshëm aksesi nga zhvillimi i paautorizuar, të vërë në dispozicion tokë për ndërtimin dhe funksionimin e shërbimeve publike, të përmirësojë zhvillimin e paautorizuar, të rikthejë tokën në gjendjen e saj përpara kryerjes së zhvillimit të paautorizuar.

Kundërvajtjet administrative

Shkeljet që nuk përbëjnë vepër penale, janë kundërvajtje administrative si më poshtë:

1. Miratimi i lejes së zhvillimit, lejes së ndërtimit, lejes së infrastrukturës apo lejes së përdorimit, në kundërshtim me këtë ligj, qoftë edhe me pranimin në heshtje, dënohet me gjobë nga 50 000 lekë deri në 200 000 lekë; mosveprimet e pambështetura në ligj, me pasojë miratimin në heshtje në kundërshtim me ligjin, dënohen me gjobë nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.

2. Mosbotimi në regjistër i akteve, për të cilat botimi është i detyrueshëm, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, dënohet me gjobë nga 20 000 lekë deri në 100 000 lekë.

3. Mosdeklarimi paraprak i punimeve që përjashtohen nga detyrimi i pajisjes me leje, sipas pikës 3 të nenit 71 të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 30 000 lekë deri në 150 000 lekë.

4. Moskryerja e afishimit të kërkesës për zhvillim, ose të lejes në parcelë dhe përreth saj, ku kryhen punimet, dënohet me gjobë nga 50 000 lekë deri në 200 000 lekë. 5. Shkelja e afatit të fillimit të punimeve, e vlefshmërisë ose e afateve të lejes, dënohet me gjobë nga 50 000 lekë deri në 300 000 lekë.

6. Shkelja e kushteve të lejes:

a) pa pasoja në krijimin e shtesave në sipërfaqe e vëllim ndërtimor dënohet me gjobë nga 100 000 lekë deri në 300 000 lekë;

b) me pasoja në krijimin e shtesave në sipërfaqe e vëllim ndërtimor dënohet me gjobë nga 200 000 lekë deri në:

i) 5 për qind të vlerës totale të punimeve, sipas përcaktimeve në leje deri në 5 milionë lekë;

ii) 10 për qind të vlerës totale të punimeve, sipas përcaktimeve në leje mbi 5 milionë lekë.

7. Kryerja e punimeve pa leje:

a) pa pasoja në krijimin e shtesave në sipërfaqe e vëllim ndërtimor dënohet me gjobë nga 300 000 lekë deri në 30 për qind të vlerës totale të punimeve të kryera pa leje si më poshtë:

i) deri në 10 për qind për punime me vlerë deri në 5 milionë lekë;

ii) deri në 20 për qind për punime me vlerë nga 5 deri në 10 milionë lekë;

iii) deri në 30 për qind për punime me vlerë mbi 10 milionë lekë;

b) me pasoja në krijimin e shtesave në sipërfaqe e vëllim ndërtimor dënohet me gjobë nga 400 000 lekë deri në 60 për qind të vlerës totale të punimeve të kryera pa leje si më poshtë:

i) deri në 20 për qind për punime me vlerë deri në 5 milionë lekë;

ii) deri në 40 për qind për punime me vlerë nga 5 deri në 10 milionë lekë;

iii) deri në 60 për qind për punime me vlerë mbi 10 milionë lekë.

8. Vazhdimi i punimeve me gjithë vendimin administrativ për pezullimin ose ndërprerjen e tyre dënohet me gjobë nga 2 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›