E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shtetëzon tokën e parkut ‘Rinia’

TIRANE-Berisha anulon vendimin e shitjes së truallit te Parku “Rinia” si dhe i jep kompetenca Inspektoratit qendror të Urbanistikës të ndërhyjë në ato raste kur evidentohet rreziku ndaj publikut. Që të dyja këto çështje kanë qenë së fundmi pjesë e debatit politik dhe të akuzave të ndërsjella për afera korruptive mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Në rastin e parë u hap debati mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë, ndërsa për rastin e dytë debati u hap mes ministrit të Transporteve, Olldashi dhe kryebashkiakut të Durrësit, Dako, për një pallat në këtë qytet.
Por, Berisha duket shfrytëzon kompetencat e tij, që me anë të ligjeve dhe rregullimeve në ligj të fitojë betejën me pushtetin lokal. Në mbledhjen e mbrëmshme të qeverisë, Berisha shfuqizon vendimin e shitjes së 1350 metër katrorë te Parku ‘Rinia’ dhe këtë truall e kalon në administrim të Ministrisë së Transporteve. Në këtë mbledhje, ai u shpreh se ky truall që gjendet në këtë park është përvetësuar me një çmim qesharak, kur kjo tokë ka qenë e shtetit dhe e askujt tjetër dhe përgjegjësia e vetme për këtë truall është qeveria qendrore. “Në regjistrimin e pronave që është bërë në vitin 2006, Agjencia e Pronave përcakton se kjo është një tokë publike, jo në autoritetin e Bashkisë së Tiranës. Sidoqoftë, toka i kalon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit”, - u shpreh Berisha. Ai kërkoi që një vendim të tillë ta marrin dhe këshilltarët bashkiakë të Tiranës, për ta kthyer këtë truall në pronë të shtetit, pasi nuk ka qenë në kompetencën e tyre shitja e këtij trualli. Ndërkohë për këtë problem reagoi dje edhe firma private. “Kompleksi Taiëan që ngrihet në Parkun Rinia në Tiranë është në pronësi private të shoqërisë shqiptare Taiëan Shpk. Kompleksi Taiëan është ngritur mbi sipërfaqen e kompleksit te dikurshëm me te njëjtin emër. Në vitin 2001 nëpërmjet kontratës me nr. 1250 rep dhe nr.332 Kol date 09/04/2001 e noter Myrvete Permeti, shoqëria Taiwan Shpk ka blere objektin “lulishte Rinia” dhe truallin funksional te tij me siperfaqe 1815 m2 te ndodhur në Parkun Rinia në zonën kadastrale nr 8380, me numër pasurie 7/189 të qytetit të Tiranës”, thuhet në një njoftim të firmës.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›