Berisha shton numrin e zëvendësministrave
Kryeministri, për të kënaqur aleatët, ka rritur numrin e zëvendësministrave. Gjashtë ministri me nga 3 poste të tilla
Ministria e Mjedisit, Kulturës, Mbrojtjes, Ekonomisë, Rendit dhe Transporteve kanë nga dy numra tre
Zgjerimi i koalicionit qeverisës edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim ka detyruar kryeministrin Sali Berisha që të rrisë në mënyrë formale dhe joefektive, jo vetëm numrin e portofolave ministrorë, siç bëri në rastin e krijimit të postit të ministrit të shtetit, por edhe të atyre të zëvendësministrave. Ndryshe nga kabineti paraardhës, ky i tanishmi ka plot 35 zëvendësministra, ku për herë të parë ndoshta në historinë e pluralizmit shqiptar vetëm Ministria e Kulturës ka 3 tre të tillë.
Me tre zëvendësministra
Numri i madh i partive aleate, me të cilat hyri në zgjedhjet e 28 qershorit (16 parti si koalicion parazgjedhor), por edhe partitë që iu bashkëngjitën pas daljes së rezultatit i ka diktuar PD-së një kabinet qeveritar më të gjerë sesa ai me të cilin qeverisi katër vitet e shkuara. Kështu, pavarësisht trumbetimit në media për një qeveri të vogël, kreu i mazhorancës, Sali Berisha, për të kënaqur të gjithë aleatët të vjetër dhe të rinj ka rritur jo pak numrin e dikastereve që kanë nga tre zëvendësministra. Kështu, gjashtë prej ministrive aktuale kanë nga tre poste zëvendësministrash, ku shumica i është dhënë aleatëve të PD-së. Ndërsa gjatë mandatit të parë kishim vetëm një dikaster me tre poste zëvendësministrash, pra Ministrinë e Brendshme, sot numri i ministrive të tilla ka shkuar në gjashtë. Me tre zëvendësministra është bërë organika e Ministrisë së Mbrojtjes, ku është larguar Petrit Karabina për tu zëvendësuar nga Arjan Starova, ndërsa është shtuar edhe një karrige zëvendësministri edhe për kreun e PLL-së, Ekrem Spahia, i cili ka lënë postin e zëvendësministrit të Kulturës që mbante më parë. Me tre zëvendësministra funksionon sot edhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, e cila përveç Eno Bozdos dhe Neritan Alibalit ka tani si zëvendësministër edhe Leonard Beqirin, si përfaqësues i LSI-së. Po ashtu me tre poste zëvendësministri është bërë edhe Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, duke emëruar Edmond Haxhinaston si përfaqësues i LSI-së, Adriatik Alimadhin si përfaqësues i Ballit dhe Ernest Nokën.
Kultura
Por, ndërsa për katër ministritë e mësipërme ky shtim mund të justifikohet për shkak të rëndësisë dhe volumit të madh të punëve që mbulojnë, një gjë e tillë s'mund të thuhet për dy dikasteret me më pak rëndësi në këtë kabinet qeveritar, pra për Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Kulturës. Struktura e këtyre dy ministrive është shtuar po ashtu me nga një post zëvendësministri, ku shumica e këtyre posteve po ashtu i është dhënë aleatëve. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave përveç ministrit Fatmir Mediu ka si përfaqësues politik edhe tre zëvendësministrat Arben Demeti, Taulant Bino dhe Auron Meneri, ndërsa në Ministrinë e Kulturës si zëvendësues të ministrit Ferdinant Xhaferi janë emëruar Dashnor Bajaziti, Nikollë Lesi dhe Suzana Turku. Shtimi i numrit të zëvendësministrave ka rritur si rrjedhojë edhe barrën financiare të kësaj qeverisje, çka e bënë një premtim të pambajtur të kësaj mazhorance angazhimin për shkurtim të shpenzimeve të qeverisjes, kjo pasi dihet që një zëvendësministër për nga hierarkia renditet njësoj si edhe një deputet.
Tabelë
Zëvendësministrat
Selim Belortaja - Zëvendësministër i Punëve të Jashtme
Edith Harxhi - Zëvendësministre e Punëve tee Jashtme
Iva Zajmi - Zëvendësministre e Brendshme
Ferdinand Pone - Zëvendësministër i Brendshëm
Avenir Peka - Zëvendësministër i Brendshëm
Arjan Starova - Zëvendësministër i Mbrojtjes
Ekrem Spahia - Zëvendësministër i Mbrojtjes
Zana Xhuka - Zëvendësministre e Mbrojtjes
Edmond Hoxha - Zëvendësministër i Integrimit
Jorida Tabaku-Zëvendësministre e Integrimit
Nezir Haldeda - Zëvendësministër i Financave
Alfred Rushaj - Zëvendësministër i Financave
Ermal Dobi - Zëvendësministër i Drejtësisë
Brikena Kasmi - Zëvendësministër i Drejtësisë
Leonard Beqiri - Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Neritan Alibali - Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Enno Bozdo - Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Edmond Haxhinasto - Zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Adriatik Alimadhi - Zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Ernest Noka - Zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Nora Malaj - Zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës
Halit Shamata - Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës
Filloreta Kodra - Zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Kastriot Sulka-Zëvendësministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Zamira Sinoimeri - Zëvendësministre e Shëndetësisë
Bardh Spahia - Zëvendësministër i Shëndetësisë
Ndoc Fasllia - Zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Tokli K.Thomaj - Zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Dashnor Bajaziti - Zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Nikollë Lesi - Zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Suzana Turku-Zëvendësministre e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Arben Demeti - Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Taulant Bino - Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Auron Meneri - Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Visho Ajazi Lika - Zëvendësministër i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin