Topalli: Letra ishte për deputetët, jo për Ramën

Konferenca e kryetarëve ka vendosur dje ta quajë seancën e nesërme të Kuvendit si të jashtëzakonshme
Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare ka rikonfirmuar dje një vendim të marrë më parë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, për ta konsideruar seancën e ditës së nesërme si të jashtëzakonshme për të diskutuar për situatën e përmbytjeve në rrethin e Shkodrës. Duket se ka qenë më shumë një strategji e mazhorancës për të kapur mat deputetët e opozitës, të cilët gjatë ditëve të fundit shprehën gatishmërinë e tyre për tu futur në parlament në rast se shumica do të kishte thirrur Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe vet kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas mbledhjes së konferencës, kur ka deklaruar se vendimi i këtij organi ishte një përgjigje ndaj kërkesës publike të përfaqësuesve socialistë. "Konferenca e Kryetarëve, pas kërkesës së deputeteve të opozitës për të pasur ditën e hënë një seancë të jashtëzakonshme për emergjencën në Shkodër vendosi që t'i japë të gjitha hapësirat dhe t'i përgjigjet pozitivisht. Opozita ndryshe nga mazhoranca bëri një kërkesë, në mënyrë të veçantë deputetët e Qarkut të Shkodrës, por edhe deputetët e qarqeve të tjera dhe, konferenca sot vendosi t'i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese duke afruar seancën e parë të parashikuar për ditën e enjte, në ditën e hënë dhe të ketë në rendin e ditës vetëm çështjen e situatës së emergjencës civile në qarkun e Shkodrës", - tha Topalli në fjalën e vet. Por, duket se një argumentim i tillë nuk qëndron, pasi vetë Kushtetuta dhe rregullorja përcaktojnë se Kuvendi mblidhet në seancë normale në sesion të ri parlamentar çdo të hënë të tretë të Janarit. Nga ana tjetër, ajo ka komentuar edhe reagimin e socialistëve lidhur me letrën e saj, duke bërë të qartë se komunikimi ishte zyrtar dhe jo privat, sikundër deklaruan disa deputetëve socialistë, duke injoruar në të njëjtën kohë edhe deklaratën e kreut të PS-së, Edi Rama. "Komunikimi im është me deputetët. Parlamenti është i deputetëve dhe ne iu përgjigjëm kërkesës së deputetëve. Është kushtetuese, është ligjore, është njerëzore. Unë jam Kryetare e Parlamentit, unë komunikoj me deputetët me secilin prej tyre", - tha Topalli.