Berisha shtyn vizitën për në Mal të Zi, 48 orët kritike
Kryeministri Berisha është detyruar të shtyjë vizitën e parashikuar për tu zhvilluar sot në Mal të Zi, pas gjendjes së fikëti që pësoi mbrëmë ndërsa fliste në 21 vjetorin e themelimit të PD-së.
Zyra e shtypit e kryeministrit bëri të ditur sot se gjendja shëndetësore e kryeministrit është e stabilizuar, dhe se aktualisht ndodhet në shtëpinë e tij.
Mbrëmë në orën 18.46 minuta, kryeministri ndërpreu fjalimin në 21 vjetorin e PD pasi u ndje keq. Gazeta “Shqiptarja.com” shkruan sot se dy ditë më pare (të dielën), kreu i qeverisë ka qenë pacient në Spitalin Amerikan. Burime nga ky spital deklaruan për Shqiptarja.com se shefi i ekzekutivit ka bërë një analizë për këmbën, ndërsa dje paradite, para festës së PD-së, ka qenë në këtë spital për të bërë ushtrimet fizike që e kanë këshilluar mjekët.
Madje mjekët kanë vendosur që ditën e diel ti marrin doktor Berishës disa qeliza për të bërë analiza. Sikurse raportojnë mjekët, pas këtyre analizave të para, shefi i qeverisë është larguar për të pushuar. Por ai është rikthyer në këtë spital ditën e djeshme. Shkruhet ndër të tjera në kryeartikullin 48 Orët kritike të Berishës
Po të njëjtat burime mjekësore, kanë thënë për Shqiptarja.com se kryeministri Berisha gjatë paradites i është nënshtruar të tjera kontrolleve mjekësore. Kështu, ai ka bërë ushtrime fizike edhe për zemrën apo tensionin, ndërkohë që priten edhe analizat e biopsisë.
Të gjitha këto kontrolle, shefi i qeverisë i ka bërë gjatë paradites, ndërkohë që duhet të ishte në formë edhe gjatë pasdites, ku do të fliste për 21 vjetorin e PD.
Sipas kryeministrisë, pas një konsulte mjekësore u konstatua se kryeministri kishte një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë, për të cilën ai ishte mjekuar gjatë ditëve të fundit.