Greqi, shpërblime qindra euro për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Asistencë edhe për të papunët
Edhe pse një vend në krizë financiare, Greqia nuk ka ndërprerë ndihmat sociale për vendasit dhe emigrantët.
Përveç ndihmës ekonomike të papunësisë, që arrin deri në 560 euro, për familjet me një fëmijë, Greqia jep çdo vit më shumë se 100 euro për çdo fëmijë.
Sa më shumë fëmijë të ketë një familje, aq më e madhe është “Ndihma e Fëmijës”, e quajtur në greqisht “Epidoma pediu”.
Gjatë ditës së sotme, një emigrante shqiptare ka shkuar në zyrat e OAED, ku ka kërkuar “Ndihmën e Fëmijës” dhe në llogarinë e saj bankare i janë futur plot 700 euro si shpërblim për tre fëmijët e saj.
“Çdo vit marr rreth 700 euro, pasi jam nënë e tre fëmijëve. Për këtë vit mendova se do kishte ulje, pasi dëgjojmë e shikojmë krizën në Greqi, mirëpo nuk ka pasur asnjë ndryshim dhe këtu duket se Greqia ka një qeveri sociale, e cila mendon për qytetarët e saj” thotë për Albnow 33-vjeçarja emigrante .
Pas kësaj deklarate na lind pyetja se si një vend që po kritikohet nga të gjithë, ende vazhdon të japë të gjitha ndihmat sociale, ndërsa Shqipëria, që deklaron se ka zhvillim, nuk jep as shpërblim për pensionistët.
“Mua më duket se në Shqipëri politikanët janë të “sëmurë”, pasi nuk mund të cilësohet një vend i zhvilluar, kur nuk jep as shpërblim për pensionistët, kur nuk jep ndihmë sociale në nivel që të plotësohen nevojat e mbijetesës mujore etj” vazhdon emigrantja, e cila thekson se në Shqipëri do të kthehej vetëm nëse do të ekzistonte një politikan në krye, “por politikan në kuptimin e plotë të fjalës dhe jo njerëz që vijnë në pushtet për t’u hakmarrë. Mallkuar qofshin ata që po mbajnë si skllevër shqiptarët dhe po i çojnë drejt vetëflijimit”, përfundon 33-vjeçarja.
Vlen të theksohet se emigrantët shqiptarë që kanë mbetur pa punë për shkak të krizës, marrin çdo muaj ndihmë sociale që tejkalon shumën prej 500 euro.
Nga ana tjetër, në Shqipëri me ndihmën sociale ( që nuk merret lehtë) mund të blesh usqime për të mbijetuar një javë!