E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha si sponsor i Ramës në Uashington

Share

Nga Mero Baze

Sali Berisha kishte shans të kishte një ditë të mirë në parlament. Do të diskutohej privatizimi i Albpetrolit, do të ndeshej me kundërshtime të opozitës, por në fund do të bënte siç do vetë. Duke qenë një problem që ka të bëjë me historinë e zaptimit të pasurive kombëtare prej tij, debati mund të shmangte pikën e dobët që ai ka kohët e fundit, izolimin ndërkombëtar nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Partnerët e tij të ri kinezë apo azerë, të cilët duan të bëjnë pazar politik me të për Albpetrolin, ishin rast i mirë që në shtëpinë e të varurit të mos përmendej litari.

Por Sali Berisha nuk e përmbajti dot veten. Edhe pse aty diskutohej për Albpetrolin, edhe pse diskutohej se si Familja e tij ka gllabëruar nëntokën shqiptare me koncesione te dyshimta dhe klienteliste dhe po vazhdon me një shitje të re klienteliste, ai nuk e përmbajti dot veten. Në mendjen e tij nuk ishte as Albpetroli, as lejet e Vokshit për naftë, as pazaret e të birit e të bijës, as kinezi dhe azeri, as Orbani dhe Sanino, por thjesht vizita e Edi Ramës në Uashington. Edhe aty ku kishte shans ta shmangte atë vizitë nga debati, e nxori me zor. Duket se e kanë lënë fuqitë të jetë i përmbajtur për makthet e tij. Nxori nga subkoshienca e tij personazhin e vjetër gogol, me të cilin ka trembur dikur ish- qeverinë socialiste, Anastas Angjelin.

Ai e di mirë që Edi Rama ishte në Departament të Shtetit dhe ka pasur takime thelbësore, jo rastësore, me ligjvënës amerikanë. Ai e ka dëgjuar ambasadorin Arvizu kur është shprehur publikisht për vizitën e Edi Ramës në Uashington. E di mirë po ashtu sa shumë janë përpjekur lobistë të tij ta ndalin apo relativizonin atë. Angjeli, tashmë një biznesmen në punë të tij, shumë më i ndershëm nga Ridvan Bode, Genc Ruli apo Ilir Meta që e pasuan në karrigen e tij të dikurshme, nuk ka fuqi as ta vërë në lëvizje dhe as ta frenojë politikën zyrtare amerikane pro apo kundër Sali Berishës apo Edi Ramës. Sado banale që përpiqet ta paraqesë politikën amerikane Sali Berisha, me gjoja gallatat se vizitat atje rregullohen apo blihen, në të vërtetë e di mirë që asgjë e tillë nuk ndodh.

Më kujtohet fillimi i vitit 2005 kur ai vërtitej nëpër Uashington dhe nuk mundi të takojë askënd, as në mensën e Kongresit sa për një foto, edhe pse miku i vajzës se tij Damir Fazlliç e priste atje kundrejt një milion dollarëve që u dhanë nën dorë për një kontratë me një shoqëri lobiste. Ngushëllimi që i jepte vetes është se SHBA punon me qeverinë dhe jo opozitën. Drama e tij e madhe vazhdoi dhe 7 vite pasi erdhi në pushtet. Të vetmet takime që ka bërë më zyrtarë amerikanë në Tiranë janë ato që janë bërë për shkak të detyrës. Dhe si për tia çuar makthin deri në fund, ata presin liderin e opozitës në Uashington. Kjo është vërtetë e pazakontë dhe nuk ndodh në një marrëdhënie normale mes SHBA dhe një qeverie partnere dhe i vetmi faktor që mund të bëjë të mundur një vizitë të opozitës në qeverinë amerikane në një shtet formalisht demokratik, është vetë qeveria e atij shteti. Sali Berisha e di mirë se është pikërisht ai që e ka çuar Edi Ramën në Uashington. Deformimet e thella të demokracisë në vend, tatëpjeta qysh pas anëtarësimit në NATO, shkatërrimi i drejtësisë në vend, i ilustruar me gjyqe të turpshme si ai i Gërdecit, Ilir Metës, Fazlliçit apo mos hetim të fëmijëve të tij për afera skandaloze, beteja e tij kundër institucioneve, farsa e zgjedhjeve në Tiranë dhe beteja kundër shtypit, e kanë bërë atë një person përfundimisht a non grata në Uashington. Është kjo klimë mes qeverisë amerikane dhe Sali Berishës dhe raportet e shkëlqyera mes shqiptarëve dhe SHBA që kanë çuar Edi Ramën në Uashington.

Sali Berisha e di më mirë se ne të gjithë këtë situatë. Ai e di mirë pse ka ndodhur kjo dhe çfarë do të thotë për të. Natyrisht nuk është aq i lirë sa në vitin 1997 tu tregojë derën siç ia tregoi Nënsekretarit të Shtetit, nuk ka aq fuqi as të reagojë publikisht ndaj tyre, dhe tenton ti fyejë si një superfuqi që komandohen nga Caci. Banal siç është në të vërtetë, pa fantazi dhe plot vulgaritete në fabulat e tij groteske, ai mendon se me një përrallë tall edhe Amerikën edhe vizitën e Ramës, maskon dhe paratë që është duke vjedhur nga Albpeptroli me privatizimin e fundit.

Në raportet e Sali Berishës me SHBA nuk ka ekzistuar kurrë një dashuri reale, por ai me mendjen  e vet e ka blerë me lek dashurinë me SHBA. Në të vërtetë ka paguar miliona dhe vazhdon të paguajë dhe nuk beson dot se ka dhe politikanë apo udhëheqës në mbarë botën që raportet reale me SHBA i kanë natyrale, si raporte besimi për vlerat që ndajnë. Ai nuk do ta pranojë këtë. Nuk do ta pranojë se dështimi i tij në krye të Shqipërisë, nxjerr në rend të ditës nevojën për të ndryshuar udhëheqjen dhe jo për të ndryshuar kursin e Shqipërisë ndaj SHBA. Makthi se dështimi i tij ka çuar rivalin e vet në SHBA e bën vulgar, të lig, por mbi të gjitha qesharak në shfaqjen e parë publike ku kishte shansin të mos fliste për këtë gjë. Por i kapur nga bota e parasë, i zhytur deri në fyt në llumin e shoqërisë shqiptare, që nga vrasjet ordinere e deri tek ato mafioze, i futur në konflikt me shoqërinë për shkak të pushtetit që dikton drejtësinë dhe institucionet në vend, i përzier në çdo aferë të madhe korruptive në këtë vend, ai përpiqet ta shpjegojë SHBA, jo ashtu siç është, por ashtu siç atij i duhet, e pistë si vetja, si një vlerë që blihet me lek. Dhe mendoni çfarë makthi ka kur as lekët që ka vjedhur aq shumë si bëjnë më punë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›