Privatizimi i dyshimtë i Albpetrol
Debatet për privatizimin e Albpetrolit në Parlament u ndezën, kur maxhoranca propozoi në mënyrë të papritur një amendim të ligjit në minutën e fundit.
Ndryshimi i propozuar nga deputeti Edmond Spaho rrit numrin e vendburimeve të naftës, që do i shiten privatit.
“Po kur zona A dhe B mund t’i jepet Albpetrolit, dy lista A dhe B, ku është sakrilegji, që nuk u dashka vënë ndonjë listë tjetër me ndonjë zonë tjetër? Ku është faji i madh që po bëhet këtu, kur ata zotërinjtë më parë ia kanë pas bashkëlidhur listën A dhe B Alpetrolit. Atëherë përse bërtasin për një listë tjetër?, tha Spaho.
Ligji ishte votuar më parë vetëm në komisionet parlamentare me dy lista, A dhe B në të cilat ishin përcaktuar vendburimet dhe zonat naftëmbajtëse që do shiteshin tek privati.
Me propozimin e papritur, maxhoranca shtoi edhe një tjetër listë, të ashtuquajturën lista C, e cila mbetet e paqartë, se çfarë vendburimesh shtesë do të përfshijë, pasi nuk është hartuar akoma dhe do të përcaktohet pas miratimit të ligjit me vendim qeverie.
“Marrëveshja midis Ministrisë dhe Albpetrolit, që quhet marrëveshja Albpetrol, nuk ka listë C, por vetëm listë A dhe B. Në listën A janë vendburimet në tokë të naftës, gazit, bitumit etj, ndërkohë që në listën B janë burimet po prapë në tokë të gazit dhe bëhet fjalë për vendburimin e Delvinës. Çfarë është lista C? Çfarë fshihet në të? Cilat janë vendburimet që janë në listën C?”, pyeti deputeti socialist Erjon Braçe.
“Zona e Delvinës është dhënë me marrëveshjet hidrokarbure dhe dy zona të tjera Panaja dhe Velca. Ne kërkojmë që t’ia rikthejmë përsëri prapë Albpetrol me marrëveshje hidrokarbure dhe një zonë C, që është zona e Durrësit, midis Durrësit dhe Tiranës. Pra nuk ka asnjë sekret për ju dhe për gjithë shqiptarët. Dhe kjo, zoti Braçe, nuk vjen me ligjin, por do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe pastaj do të jetë pjesë e të gjithë dokumentacionit që do të privatizohet”, tha ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço.
Formula e paprecedentë e shitjes së Albpetrol po shndërohet në një nga privatizimet me të përfolura të pronës publike. Për herë të parë, qeveria po transferon tek privatët, jo vetëm asete fizike, por edhe të drejta të veçanta që deri tani kanë qenë ekskluzivitet vetëm i shtetit.
“Ne nuk do të pranojmë asnjëherë dhe në asnjë rast, që të drejtat e marrëveshjeve hidrokarbure, lidhur me shfrytëzimin e pasurisë më të madhe që ka Shqipëria, të një pellgu naftëmbajtës, që është më i madhi në Europë, të menaxhohet, disponohet, keqpërdoret nga një kompani private sado prestigjoze që kjo të jetë. Këtu qëndrimet tona ndahen”, tha deputetja socialiste, Mimi Kodheli.
Shqipëria është vendi i vetëm në rajon i pasur me naftë, që disponon madje edhe vendburimin më të madh në Europën kontinentale, atë të Patos Marinzës, i cili mendohet se ka edhe 30 milionë tonë rezerva nafte të nxjerrshme.
Privatizimi i Albpetrol mbyll përfundimisht historinë e pronësisë publike në naftë, e cila tashmë i kalon e gjitha privatëve, dhe jo vetëm si aset fizik, por edhe me gjithë të drejtat e posaçme, përfitimet e veçanta që merr shteti nga kompanitë e huaja, që kanë marrëveshje koncesioni për të shfrytëzuar puset e naftës, që në gjuhën teknike quhen ndarja e prodhimit dhe nafta fitim. Me shitjen e Albpetrol, qeverisë i mbetet tashmë vetëm renta minerare dhe Tatimi mbi Fitimin nga kompanitë e naftës./TCH