Berisha, sot takohet me Kancelaren Anxhela Merkel

Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga shefi i qeverisë, u nis dje për një vizitë zyrtare dyditore në Republikën Federale Gjermane, me ftesë të Kancelares gjermane, Anxhela Merkel.
Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur se në këtë vizitë, kreu i qeverisë do të shoqërohet nga një delegacion, në të cilin bëjnë pjesë ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ai i Financave, Ridvan Bode dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.
Kryeministri Berisha do të pritet me një ceremoni nga Kancelarja Merkel. Gjatë bisedimeve me Kancelaren Merkel, temë kryesore do të jenë marrëdhëniet bilaterale në të gjitha fushat, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE, si dhe çështjet e rajonit.
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Berisha do të ketë takime edhe me ministrin e Jashtëm Federal, Frank ëalter Steinmeier dhe me ministra të tjerë të kabinetit.
Në axhendën e vizitës së tij zyrtare në Gjermani janë parashikuar edhe një sërë takimesh me përfaqësues të biznesit gjerman.
Një takim i veçantë do të jetë ai me përfaqësuesit e fondacionit “Konrad Adenauer”, me të cilët do të diskutohet bashkëpunimi mes këtij fondacioni dhe Shqipërisë.
Kryeministri Berisha do të vizitojë edhe qytetin Essen, ku do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e sipërmarrësve të mëdhenj në këtë qytet.
Fond për Shqipërinë
Gjermania i vë në dispozicion Shqipërisë 90 milionë euro. Pas bisedimeve qeveritare midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, qeveria Federale Gjermane i premtoi Shqipërisë për vitet 2008-2009 mbështetje të mëtejshme në shumën 90 milionë euro nga buxheti i Republikës Federale. Mbështetja do të jepet në formën e
kredive me përqindje të favorshme, të ashtuquajturat kredi zhvillimi, ose në formën e subvencioneve. 85,75 milionë euro do t’i kalojnë fushës së bashkëpunimit financiar dhe 4,5 milionë
euro fushës së bashkëpunimit teknik. 20-vjetori i bashkëpunimit politik gjermano-shqiptar për zhvillim do të vlerësohet edhe në kuadër të bisedave midis Kryeministrit Berisha dhe Kancelares Federale, Merkel si dhe ministrit të Jashtëm Federal, Steinmeier sot në Berlin.