E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sot vjen nga Vjena, mbrëmë takim me Nanon

Takimi nuk është konfirmuar nga burime zyrtare

Kryeministri Sali Berisha mëngjesin e sotëm niset për në Tiranë. Vonesat e rikthimit në Shqipëri, të z.Berisha erdhën nga kaosi i krijuar në aeroportet evropiane pas resë gjigande vullkanike, e cila ka pushtuar qiejt e Evropës. Kjo situatë, tejzgjati udhëtimin e z. Berisha nga Brukseli drejt Tiranës. Ai udhëtoi me makinë nga Brukseli drejt Gjermanisë, duke ndaluar në Vjenë një natë më parë. Por pezullimi i fluturimeve ka bërë që Berisha të qëndronte në Austri për 24 orë me radhë. Burime jo zyrtare të cituara nga Oranews, thanë se gjatë qëndrimit të tij në Vjenë ka patur një takim të shkurtër me ish-kryeministrin Fatos Nano. Pas vizitës zyrtare në Bruksel, ku dorëzoi pyetësorin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, për Kryeministrin Berisha ishte e pamundur që të ndiqte linjën normale fluturimit Bruksel - Vjenë - Tiranë. Kreu i qeverisë u nis ditën e premte paradite me makinë nga Brukseli dhe për më shumë se 10 orë përshkoi gati 1300 kilometra rrugë në Gjermani dhe prej andej mbërriti në Vjenë pa ditur se çfarë itinerari do të ndiqte drejt Tiranës, pasi është në varësi të përmirësimit të trafikut ajror. Në Vjenë z. Berisha është njoftuar për mbylljen e fluturimeve nga aeroporti vjenez, çka e ka detyruar Kryeministrin Berisha të qëndronte edhe në kryeqytetin e Austrisë deri në dje pasdite, duke marrë më pas udhëtimit drejt Tiranës. Kaosi i trafikut ajror, për shkak të reve të hirit vullkanik, i prodhuar nga shpërthimi i vullkanit në jug të Islandës, i cili ka përfshirë gati gjysmën e Evropës, ka prekur edhe Shqipërinë dhe gjithë Gadishullin Ballkanik. Organizata evropiane për sigurinë e trafikut ajror, Eurocontrol, njoftoi bllokimet e trafikut ajror edhe gjatë ditës së djeshme në një pjesë të madhe të kontinentit evropian. Janë anuluar 16 mijë fluturime nga 22 mijë që ishin parashikuar në Evropë. Organizata evropiane për sigurinë dhe transportin ajror, Eurocontrol, deklaroi se efektet e reve të hirit nga Islanda do të jenë të pranishme për të paktën edhe 24 orët e ardhshme, çka do të pengojë fluturimet në pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Veriore. Zyrtarë nga aeroporti Nënë Tereza në kryeqytet bënë të ditur se sërish dje janë anuluar fluturimet drejt Vjenës në Austri, Budapestit në Hungari, aeroportit të Londrës në Britani, aeroportit të Mynihut, Shtutgardit e Frankfurtit në Gjermani, dhe Milanos, Bolonjës e Trevizos në Itali. Ata që udhëtojnë drejt këtyre vendeve, si edhe në rastet kur kalojnë transit përmes tyre, do të jenë të detyruar të presin njoftime të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›