Gjana: Kur hapja tunele në Kashar, Yzberisht e Babrru
Jemin Gjana rrëfen vitet e persekutimit të gjatë...
Atë dhe bir, në një kohë të mbrapshtë, por vite të ndryshme, ndërtuan pallate në Tiranë dhe hapën tunele në periferi të saj. Njëri i burgosur politik në kampet e detyrueshme të punës dhe i biri ushtar, që në vend të auditorit, gërmonte me lopata xheniere dheun kryeqytetas. Që atëherë kanë kaluar vite. Jemin Gjana u rikthehet momenteve të vështira të jetës në fshatrat e Kukësit, nga ku kërkonte studimet e larta, djallëzinë që diktatori përdori për ti penguar shkollimin në universitet përmes vajtjes ushtar, bllokimi i marrjes së diplomës për 10 vite me radhë, rikthimi në vendlindje dhe arratisja në Pogradec pas situatës mbytëse që skishte të sosur... Të gjitha, pasojë e një faji, që regjimi komunist kishte të drejtë ta montonte në çdo kohë dhe si të donte. Preja e tij ishte Jemin Gjana, i cili në këtë intervistë për standard rrëfen kalvarin e gjatë të vuajtjeve që nisin në moshën 4-vjeçare, kur para syve të tij ia arrestuan babain, vizitat në qelitë e burgut dhe jeta më pas plot peripeci me shkollimin, punësimin në një kohë kur e ardhmja stë premtonte asgjë...
Z. Gjana, një baba është në vend të 100 mësuesve dhe gjëja që fsheh i ati tek i biri del në pah... Cila është më e mira e të mirave në këtë rast?
Kam përshtypjen se një baba është edhe në vend të 200 mësuesve...
Një nga zotësitë për të jetuar është të përballosh me burrëri fatkeqësitë... Kishte të tilla në familjen tënde?
Fatkeqësitë nisën kur më arrestuan babain, i cili nuk kishte bërë asgjë për të merituar prangat në duar, burgun dhe kampet e përqendrimit.
Pse e akuzuan babain tënd?
Im atë u akuzua me një akuzë tepër absurde, që renditej si politike. Djemtë e hallës sime që jetonin në një fshat të Kukësit, Lusën, afër nesh në Ujëmishtë, u arratisën familjarisht dhe kaluan kufirin. Njërin prej tyre e pushkatoi Shefqet Peçi. Ata ishin 5 vëllezër, të cilët bashkë me pjesën tjetër të familjes kaluan kufirin drejt ish-Jugosllavisë.
Për çfarë viti bëhet fjalë?
Në vitin 1954. Ka qenë kohë vjeshte. Fill pas ikjes së nipave të tij, thirrën babain tim në hetuesinë e rrethit dhe e akuzuan për moskallëzim të arratisjes së djemve të hallës. Pavarësisht se im atë u tha se nuk kishte dijeni për ikjen e tyre, ata e akuzuan duke e cilësuar si bashkëpunëtor në krim.
Sa vjet e dënuan?
Gjyqi i babait u bë në Shkodër dhe aty e dënuan me 7 vjet burg. Dënimin e ka kryer në kampet e punës, në Shkodër, Tiranë, Lezhë, kudo ku punonin të burgosurit.
Çfarë moshe kishe në kohën që të arrestuan babain?
Kam qenë vetëm 4 vjeç. (hesht)
E mban mend atë moment?
Kam të fiksuar momentin e kontrollit në shtëpi nga Sigurimi i Shtetit. Erdhën dhe përmbysën gjithçka. Edhe shtratin e prindërve e përmbysën duke kontrolluar. Nëna na jepte kurajo që të mos trembeshim, pasi kjo gjë ishte kalimtare.
Çfarë kërkonin konkretisht?
Besoj ndonjë armë... Mendonin se mos kishim fshehur armë në shtëpi, gjë që nuk ndodhte asnjëherë. Unë jetoja me nënën dhe gjyshërit. Nuk më hiqet nga mendja momenti kur hapën sëndukun e nënës. Nxorën jashtë çdo që gjë kishte në shtëpi.
U bë e vështirë jetesa pa babanë?
Sigurisht. Më kujtohet shtëpia dykatëshe që kishte pësuar çarje, shembje dhe ishte gati për tu shembur, ndërkohë që i gjithë i ftohti dhe shiu na hynte brenda. Gjyshi e mbylli me kashtë misri, ndërkohë që vite me radhë mbeti e papunuar, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Në atë kohë vinin shumë njerëz në shtëpi, hynin dhe dilnin, ishin të afërmit tanë, që mundoheshin të na qëndronin pranë, ngaqë babai ishte në burg. Madje, në shtëpinë tonë erdhën të jetonin edhe dy kushërinjtë tanë dhe bashkë me familjen tonë bëheshim 27 veta nën një çati dhe kështu jetuam deri në vitin 1971.
Kur munde ta shikoje pas hekurave të burgut?
Kam shkuar me gjyshërit për ta takuar kur ende nuk kisha mbushur 5 vjeç. Njëherë, mbaj mend, që kur vajta me gjyshin për ta takuar, babai ishte ende në Shkodër, në darkë nuk gjetëm dhomë në hotel për të fjetur. Roja i hotelit, të cilin nuk e njihnim, na mori në shtëpinë e tij për të fjetur. Ndonëse gjesti i tij ishte prej fisniku, tek unë mbizotëronte frika. Bashkëjetonim me të që nga koha e arrestimit të babait. Fundja, ai ishte një i panjohur për ne. Ne nuk e njihnim atë, pavarësisht se na bëri strehë ku të fusnim kokën. Pothuajse atë natë nuk fjeta fare, mendoja kushedi natën se çfarë do të ndodhte. Por realisht nuk ndodhi asgjë. Gjyshi e falënderoi për mikpritjen dhe që atëherë, babain e larguan nga burgu i Shkodrës dhe e sollën në Tiranë, në kampin e punës, ku bashkë me të burgosur të tjerë ndërtoi pallatet në Tiranë.
Ku ndërtoi pallate konkretisht?
Ka ndërtuar pallatet tek zona e Zogut të Zi, këtu në Tiran. Madje, ka qenë një projekt për të bashkuar pallatet në të dy anët e rrugës me një hark, por nuk e di pse nuk u bë. Dhe këtë punë do ta bënin të burgosurit politikë.
Babai jeton ende, por si ndihet kur kalon dhe i sheh ato pallate, tani në moshën e pleqërisë?
Im atë jeton me njërin nga vallezërit, në Ali Demi, por në zemëratë e sipër shpesh na thotë: Me çoni tek ato pallate dhe të pij një kafe. Madje, ka një datë të muajit shkurt, koha kur është liruar nga burgu, që çdo vit ka dëshirë të shkojë e ti shikojë ato pallate.
Kur e kuptove që ishe një i deklasuar?
Shkollën 7-vjeçare e bëra dy orë larg nga shtëpia, nga Ujëmishti në Bicaj. Për shkollën e mesme nuk më penguan që ta ndiqja. Por, nuk më dhanë bursë dhe ky ishte një lloj preteksti që unë të mos vazhdoja shkollën, pasi e dinin që ishim në kushte shumë të vështira ekonomike dhe nuk mund ta paguaja bursën. Me kanalizuan politikisht, por nëna dhe gjyshërit bën çdo sakrificë dhe më paguan për 4 vjet me radhë nga 1840 lekë në muaj, pasi kaq ishte bursa.
Po më pas...?
Herë pas here më diferenconin nga nxënësit e tjerë, edhe për faktin se mësoja më mirë nga të gjithë, por momenti më absurd erdhi në provimin e maturës, kur drejtori i gjimnazit, Shefqet Hoxha, më dha fletët e maturantit, si më i miri dhe këtë e bëri në prani të udhëheqjes së partisë së Kukësit. Të nesërmen, drejtor Shefqetin e hoqën nga qyteti dhe e çuan mësues në një fshat të Kukësit. Mësuesi i biokimisë më tregoi të gjithë historinë, arsyen pse ishte bërë largimi tij dhe më la të kuptoja qartë se nuk do të shkoja në shkollë të lartë. Kurrë nuk i harroj fjalët e tij kur më tha: Në Shqipëri, gjysma është kundër gjysmës tjetër dhe një ditë mund të shpërthejë... realisht atë vit nuk ma dhanë shkollën. Vitin më pas, me vendimin 55 të Komitetit Ekzekutiv, mu dha bursa për në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Në momentin që emri im u afishua në listën e përfituesve të bursave, më thërrasin në degën ushtarake dhe më thonë se duhej të ikja ushtar.
Me sa di unë, kur të dilte shkolla e lartë, nuk bëje ushtrinë...
Pikërisht, këtë gjë u thashë në degën ushtarake dhe ata më thanë: Dakord, por hajde një herë këtej më datë 29 korrik. Ndërkohë që bëhesha gati për të ndjekur studimet e larta, vajta datën që më kishin thënë sërish në degën ushtarake dhe pa folur njeri me mua më hipën në kamionin e ushtrisë.
Ku të ndaluan?
Makina ushtarake ndaloi në Yzberisht të Tiranës. Që nga ai moment unë nisa të bëja punë xheniere. Për dy vjet me radhë kam hapur tunele në Kashar, Domje, Yzberisht, pastaj u bë një uzinë ushtarake në Babrru.