Berisha sulmon PS-në në mbledhjen e fundit të qeverisë: Është fatkeqësia jonë
Kryeministri në largim, në një fjalim kilometrik, tha se forca e tij politike ka bërë gjithçka për integrimin, kurse PS vetëm e ka bllokuar ose ngrirë atë. Kryeministri thotë se i është dashur të përballet me albanofobë në Europë, por edhe me opozitën shqiptarë, për të çuar përpara integrimin
Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e fundit të qeverisë duke falënderuar qytetarët për besimin tetëvjeçar.
Më pas ai bëri një rezyme të vendimeve të miratuara nga qeveria në tetë vite, duke theksuar se ata kanë çuar përpara integrimin.
Berisha akuzoi Partinë Socialiste se e ngriu integrimin kur ishte në pushtet para vitit 2005 dhe e bllokoi kur ishte në opozitë pas vitit 2005.
Madje Berisha tha se ata janë fatkeqësia e Shqipërisë.
Berisha deklaroi se në Europë ka albanofobë që nuk ia duan të mirën vendit tonë, që projektojnë atavizma.
Berisha tha më pas se uronte që qytetarët të kishin bërë zgjedhjen e duhur.
Uroj që personi që votuat dhe që për pak ditë ulet në këtë karrige, të mos përdorë interesat e tij meskine për të bllokuar një proces që është jetik për ju, për fëmijët tuaj, për kombin, për vendin në tërësi. Ne qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të procesit të integrimit. Edhe në opozitë ne do jemi promotorë të pamposhtur të këtij interesi, tha Berisha.
Berisha tha se kurrë më parë në historinë e Shqipërisë nuk është ngritur një infrastrukturë e tillë ligjore nga një qeveri.
Kjo është mbledhja e 425-të në tetë vite, në të cilat janë miratuar 7255 ligje dhe vendime. Nga këto, 5916 vendime, 1292 ligje, 47 akte normative, që kanë përbërë infrastrukturën ligjore të të gjitha reformave në të gjitha fushat, kanë përbërë të gjithë infrastrukturën ligjore të të gjitha marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale me vendet mike dhe institucionet ndërkombëtare. Në këto 7255 akte ligjore dhe nënligjore, dhjetëra mijëra faqe, është shkrirë mundi, djersa, përkushtimi, profesionalizmi, pasioni i punonjësve të administratës shqiptare, por edhe specialistëve të huaj. Është shkrirë mundi dhe djersa e punonjësve të këtij shteti, tha Berisha.
Berisha iu drejtua qytetarëve duke thënë se ai ka pasur dy objektiva ndaj qeverisjes së tij.
Duke shprehur respektin më të madh për ju, mirënjohjen më të thellë për besimin tetëvjeçar që i bëtë mazhorancës së PD, dua të theksoj se që ditën e parë të mazhorancës së kësaj partie dhe gjer sot, dy kanë qenë objektivat e të gjitha objektivave. Dy kanë qenë qëllimet e të gjitha qëllimeve. Me bindjen më të thellë se ato ishin edhe interesat më jetike të çdo fëmije, të riu, gruaje, burri dhe të moshuari të këtij vendi.
Këto dy objektiva ishin dhe mbeten integrimi i Shqipërisë në institucionet euro- atlantike dhe Shqipëria vend i zhvilluar, objektivi tjetër, tha Berisha.
Kryeministri tha se në vitin 2005, integrimi ishte i ngrirë për shkak të qeverisjes socialiste.
Tetë vjet më parë procesi i integrimit të Shqipërisë ishte i ngrirë, i paralizuar dhe kjo jo për shkak të partnerëve apo institucioneve ndërkombëtare, por për shkak të papërgjegjësisë së atyre që qeverisnin dhe që vendosnin interesat meskine të pushtetit të tyre mbi këto dy interesa jetike të qytetarëve shqiptarë, tha Berisha, duke akuzuar qeverisjen si të korruptuar dhe si të lidhur me bandat më të rrezikshme në Europë.
Berisha tha se me ardhjen e PD në pushtet, nisi puna me besim të palëkundur tek procesi i integrimit si e ardhmja më e shkëlqyer.
Në të gjitha karrierën politike dhe sa të vazhdoj të merrem me politikë, kurrë ndonjëherë nuk i kam kërkuar asnjë zyrtari të huaj atë që nuk na takon, tha Berisha.
Ai theksoi se ka pasur një skepticizëm në Europë për heqjen e vizave.
Një skepticizëm i madh ekzistonte për vizat në mendjen e zyrtarëve të BE. Atyre nuk iu ishin shlyer akoma eksodet masive të shqiptarëve. Pavarësisht nga këto, vendimet për Shqipërinë ishin pozitive.
Qeveria bëri gjithçka, ndërmori çdo reformë, rriti angazhimin për të merituar statusin dhe pavarësisht disa albanofobëve, ne ia dolëm të përmbushim një nga një çdo detyrim që rridhte nga kërkesat për të merituar statusin e kandidatit. Ndaj dhe dy vjet më parë, Komisioni Europian, në raportin e tij në tetor, i rekomandon Shqipërisë marrjen e statusit kandidat dhe lë tre ligje, për të cilat prej shumë muaj më parë ishte arritur konsensusi, që të votohen për marrjen e statusit.
Berisha tha se ndodhi më e paimagjinueshmja. Shqiptarët kundërshtuan votimin e tyre, tha ai, duke sulmuar opozitën e asaj kohe.
Në rrugën e integrimit shqiptarët janë përballur me vështirësitë e tyre, më të mëdha sesa kombet e tjera. Nuk ekziston në Europë një politikë armiqësore ndaj shqiptarëve. Kjo është periudha e solidaritetit më të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare. Por është e gabuar të mendohet se nuk ekzistojnë albanofobët. Harrohet se ndaj këtij kombi sërish projektohen atavizma, që ekzistojnë në të gjithë nivelet.
Këta albanofobë keqinterpretojnë shqiptarët. Unë nuk them se janë pa të meta, pa probleme, por komb më të mirë mbi tokë nuk ka. Por në rrugën tonë drejt Europës na rastisi fatkeqësia në shtëpinë tonë. Kjo forcë politika e ngriu integrimin kur ishte në pushtet dhe e bllokoi kur ishte në opozitë, tha Berisha, duke shtuar se është i bindur se Shqipëria do e marrë statusin kandidat në dhjetor.
Kryeministri lavdëroi qeverisjen e tij edhe për anëtarësimin në NATO, duke sulmuar sërish opozitën shqiptare se tentoi të bllokonte këtë proces.
Dua ta them këtu se Shqipëria u bë anëtare e NATO-s falë mbështetjes së fuqishme, vullnetit pozitiv, ndjenjave miqësore të qeverisë së SHBA dhe presidentit Bush.
Shqipëria nuk do e merrte kurrë ftesën, nuk do anëtarësohej në samitin e Strasburgut në rast se ajo nuk do ndërmerrte reformat më serioze, më të rëndësishme në Forcat e Armatosura, në zbatimin e ligjit, në luftën kundër korrupsionit. NATO është së pari aleancë politike.
Edhe në këtë proces, Shqipëria kishte kundërshtare të brendshme opozitën shqiptare. Njeriu që ulet në këtë karrige, organizoi miting të nesërmen e ftesës që morëm në Bukuresht.
Anëtarësimi n