Basha: Janë spekulime lajmet për afrimin e Topit me PD-në
Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i quajti spekulime mediatike lajmet se ka pasur një afrim me kryetarin e Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi.
Duke folur gjatë inspektimeve për rikonstruksionin e një kopshti, Basha tha se këto janë sajesa të sforcuara të argatëve mediatikë.
Kam lexuar dje disa lajme të tilla. Dje kam dëgjuar disa spekulime me këtë temë, janë sajesa të forcuara të argatëve mediatikë. Janë sajesa të sforcuara të ustallarëve të takimeve dhe marrëveshjeve të fshehta. PD nuk angazhohet në takime të fshehta. PD po përgatitet për një opozitë të fortë moderne të fortë kreative dhe alternative në interes të publikut. Po punojmë me aleatët parlamentare dhe jemi të hapur për çdo bashkëpunim me faktorë të tjerë që duan të rreshtohen, tha Basha.
Basha tha se PD po përgatitet për një opozitë të fortë parlamentare, ndërsa shtoi se ata si parti nuk angazhohen në marrëveshje të fshehta.
Ne do të bëjmë një opozitë të fortë parlamentare në mbrojtje të interesave të qytetarëve, tha Basha.
Basha tha se ata janë të hapur për bashkëpunim me partitë e tjera të spektrit të djathtë.
I pyetur në lidhje me mbledhjen e grupit të ri parlamentar të Partisë Demokratike, Basha theksoi se me hapjen e sezonit parlamentar do të mblidhet edhe grupi parlamentar për të marrë të gjitha vendimet e nevojshme.
Deklaratat e Bashës u bë gjatë inspektimit të punimeve për rikontruksionin e kopshtit numër 1 në kryeqytet.
Puna ka nisur për rindërtimin e plotë të 12 çerdheve dhe kopshteve duke përfshirë ngrohjen dhe ambientet e reja dhe kushtet më të mira për fëmijët. Do të mbyllim njëherë e mirë kapitullin të standardeve të parealizuara duke realizuar një standard bashkëkohor. Në shkurt të vitit të ardhshëm do të përfundojë rikonstruksioni i 12 kopshteve dhe i çerdheve dhe shërbimi të jetë në përputhje me kërkesën e prindërve për fëmijët e tyre, shtoi Basha./ep