E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takime në Kuvajt, për ekonominë e Kosovën

KUVAJT- Kryeministri Berisha ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Kuvajtit, ku marrëdhëniet ekonomike kanë qenë në qendër të diskutimeve. Në takimin me emirin e Kuvajtit Shekik Saba Alhmad, kryeministri Berisha tha se investitori më i rëndësishëm në Shqipëri Al Karafi është nga Kuvjati dhe për këtë arsye shumë investitorë të tjerë duhet të ndjekin shembullin e investimeve të suksesshme që ka pasur ky i fundit në Shqipëri.

Emiri i Kuvajtit u shpreh se stabiliteti ekonomik i Shqipërisë edhe në këtë periudhë të krizës botërore, bën që Shqipëria të jetë një vend mjaft i favorshëm për investitorët kuvajtianë.

Pjesë e axhendës së kryeministrit Berisha ishin edhe takimet me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit Jasim Muhamed Alkarafi dhe me kryeministrin e këtij vendi Sheik Naser Muhamed Alahmed. Në të gjitha këto takime u theksua rëndësia e rritjes së bashkëpunimit ekonomik në sektorë si energjetika, turizmi, bujqësia dhe infrastruktura.

Kryeministri Berisha ka folur edhe për cështjen e pavarësisë së Kosovës me zyrtarët kuvajtianë. Berisha tha se njohja e pavarësisë është mënyra e vetme për paqen dhe stabilitetin në rajon, lidhur me këtë Emiri i Kuvajtit u shpreh se vendi i tij nuk shpreh asnjë kundërshti në njohjen e pavarësisë së Kosovës, gjë e cila do të shihet me shumë seriozitet nga qeveria e Kuvajtit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›