E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takohet me përfaqësues të politikës dhe bisnesit Italian

Kryeministri Berisha priti në një takim Senator Berninin, së bashku me disa përfaqësues të një kompanie italiane, të interesuar për projekte infrastrukture. Senatori italian e uroi z. Berisha për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Shqipërisë dhe i shprehu simpatinë e tij për arritjet e vendit në fushën ekonomike, politike dhe në arenën ndërkombëtare. Ai tha se është kënaqësi për vendin e tij të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Evropës dhe të kontribuojë në mënyra të ndryshme, në rastin konkret në fushën e biznesit, ndërtimin e rrugëve të reja.  Përfaqësuesit e kompanisë italiane shprehën interesin e tyre për të marrë pjesë në vepra koncensionare, si në atë të unazës së madhe të Tiranës, rrugën Fushë Krujë – Rrogozhinë, etj. Kryeministri Berisha, pasi falënderoi Senatorin Bernini dhe përfaqësuesit e kompanisë italiane për vizitën, i njohu ata me programin e qeverisë së tij në fushën e infrastrukturës. Kryeministri i nxiti përfaqësuesit e kompanisë italiane të fillojnë procedurat përkatëse për të konkretizuar projekte në infrastrukturë. Gjithashtu, Kryeministri i njohu me një sërë veprash të tjera infrastrukturore që kanë filluar dhe do të fillojnë të ndërtohen gjatë viteve në vazhdim. Ai theksoi se, në këtë fushë objektivi i qeverisë së tij ishte lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave me rrugë dy herë më të shkurtra se në të shkuarën dhe të standardeve evropiane.        

Më herët kreu i qeverisë u takua më presidentin e “Made in Albania” zotin Adelchi

Kryeministri Berisha priti në një takim Presidentin e Kompanisë italiane të prodhimit të këpucëve “Made in Albania”, zotin Adelchi. Zoti Adelchi, pasi e uroi Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në këtë detyrë, i prezantoi suksesin e kompanisë në këtë biznes, i cili, nga biznes i tipit fason u kthye në biznes me cikël të plotë që nxjerr produkte me markën e prodhimit në Shqipëri. Suksesi i biznesit të tij, në bashkëpunim me partnerët shqiptar, mban të punësuar rreth 1800 punonjës në Tiranë dhe Shkodër. Për të rritur kualifikimin e punonjësve në këtë sektor dhe për të përgatitur punonjës të rinj, kompania ka vendosur të hapë një shkollë profesionale kualifikimi, ku do të përgatiten edhe stilistë në këtë fushë. Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Adelchi për arritjet e prezantuara dhe i garantoi atij mbështetjen e mëtejshme të qeverisë dhe strukturave të saj. Kryeministri Berisha  siguroi se edhe në këtë mandat, qeveria e tij do të vazhdonte thellimin e reformave në ndihmë të investitorëve të huaj e vendas....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›