E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alterteksti dhe Pëlhura e Penelopës

Tekstet alternative në programet e shkollave të mesme nuk janë një dukuri e ditëve të sotme. Pra, nuk janë një risí, ç’është e vërteta. Në debatet mediatike për këto tekste është bërë një zhurmë e madhe, - e tejmasshme do të thosha, - për njëanshmëri. Vetëm kohët e fundit është flashkur, paksà, polemika agresive e së majtës shqiptare, për disa teprime që ajo ka vërejtur në interpretimet e tekstit të Historisë së Shqipërisë për klasën e 12-të, që janë vënë nën shenjestër se nuk përkojnë me historiografinë shqiptare. Mëtohet se këta libra janë të dënueshëm për mungesë objektiviteti,  për shtrembërime, madje edhe për njëanshmëri në dobi të së djathtës.

Duhet thënë menjëherë se objektivitet absolut nuk mund të ketë, veçanërisht në historinë tonë, kur shpëlarja e trurit të shqiptarëve, përmes një indoktrinomi të pashembullt, ka çoroditur të menduarit e pavarur të njerëzve tanë, për dhjetëvjeçarë të tërë. Subjektiviteti ka qenë flagrant. Pa u zgjatur në fakte të panumërta, mjafton të këqyrim marrëdhëniet shqiptare-jugosllave gjatë Luftës II Botërore dhe pas saj. Kundërthëniet janë të asaj mase sa, për një mendim të shëndoshë, nxirret lehtësisht përfundimi se kemi pasur të bëjmë me një histori të pabesueshme, për të mos përmendur një mori mbiemrash të tjerë. Por rrahja si çekan në trurin e lexuesit të thjeshtë, me goditje të përqendruar, ku përsëritjet janë  bërë  nga e gjithë publicistika historike, nga të gjithë shkruesit që thonë të njëjtën gjë, - për të mos dalë nga vija politike e kohës, - si edhe vërshimet propagandistike të të gjitha shkrimeve propagandistike (se historike s’mund të quhen) janë  shkruar në të gjitha tekstet historike të asaj kohe, sa të flitet për një shpëlarje të trurit me synimin “fol, fol për të njëjtën gjë, se diçka do të mbetet”.

Pasi Miladin Popoviçi u ekzaltua dhe u mbulua me kurora dafinash gjer në neveri, erdhi një kohë tjetër që, me kritikat që i bëri Velimir Stojniçi që e zëvendësoi, gjersa Enver Hoxha u shpreh se ai vetë kishte qenë hija e Miladinit!  Vendimet e këtij të fundit ishin ligj për diktatorin tonë të ardhshëm, gjer në vendosjen e vrasjes prapa krahëve të Mustafa Gjinishit, të cilin e kishte firmosur Enveri. . .

Me prishjen e marrëdhënieve “vëllazërore” me trockistin Tito, për të qenë solidar me rezolutat e Byrosë Informative, e gjithë historia jonë u përmbys. “Veprat” e Enverit dolën në ribotime të korrigjuara. Mos të harrojmë se ato kishin pretendime të një historie të mirëfilltë. Filluan falsifikimet e fotove, me fotomontazhe për të hequr figurat e dënuara plenum pas plenumi. Sidoqoftë atdhetarë të shumtë kosovarë, që thyenin kufirit për të ardhur në atdheun-amë,  se nuk e duronin dot dhunën e UDB-së jugosllave , arrestoheshin menjëherë si agjentë të shërbimit të fshehtë kosovar. Fjala “Kosovë” ishte fajësuese. Njerëzit flisnin vesh më vesh për kosovarët. E.H.-a ishte shndërruar nga titist në antititist!

Të gjitha këto nuk kanë për synim të përligjin gabimet, sidomos ato faktike, të Historisë alternative të klasës së 12-të. Përkundrazi, si histori e debatuar në klasë, mjaft të meta mund të evidentohen përmes mendimeve të lira të nxënësve. Çështja e luftës civile brenda Luftës së madhe, për shembull, është e pranueshme nga njëra palë dhe e papranueshme nga të majtët, që nuk duan të kuptojnë  se  ky konflikt zuri fill me prishjen e njëanshme të Konferencës së Mukjes. A mos do të ngulmohet se edhe për këtë prishje e kanë përgjegjësinë nacionalistët? A mos vihet dot në dyshim se për këtë prishje ndikuan vendosmërisht emisarët jugosllavë? Ka çështje, pra, që janë qartësuar, tashmë, jo vetëm nga historianët e paindoktrinuar, por edhe nga nacionalçlirimtarët e ngarkuar me mandat për nënshkrimin e kësaj mbledhjeje për luftë të përbashkët kundër okupatorit. Para Mukjes të dy palët kishin bërë luftëra të përbashkëta kundër pushtuesve. Fill pas prishjes së njëanshme të kësaj mbledhjeje historike, nacionalistët u sulmuan ashpër nga nacionalçlirimtarët. Dhe dokumentet që implikojnë emisarët e Titos në këtë episod të hidhur historik, nuk mungojnë. Mjafton të lexohet libri me dokumente historike i autorëve Ndreçi Plasari dhe Luan Maltezi, si edhe ai i Luan Dodes, që të ndriçohen të vërteta historike të papërgënjeshtrueshme, tashmë. Pavarësisht se historianët e kohës së diktaturës, që tanimë janë shndërruar në historianë të kohës së re të demokracisë, mjaft nga të dhënat historike kërkojnë t’i rivendosin  sipas kallëpeve të hershme të historisë së mëparshme, me disa retushime sipërfaqësore.

Po e argumentoj me një rast të vetëm edhe këtë mendim, me atë etje morboze për të nxjerrë kolaboracionistë në një numër të dhjetëfishuar, për të justifikuar krimet e shfrenuara të komunizmit, në shkrime edhe pas 1990-s, kur mund të viheshin pikat mbi i . Juristi me emër në të gjithë Europën, Thoma Orollogai, ishte propozuar nga vetë nacionalçlirimtarët  që të drejtonte seancën e parë të Marrëveshjes së Mukjes. Pastaj, me ardhjen në fuqi të diktaturës, u dënua me vdekje si kolaboracionist!  Shkrime të tilla janë replikuar me shifra faktike. Megjithatë mjaft historianë të tillë nostalgjikë, janë dekoruar nga presidencat tona.

Përfundimisht, duke qenë dakord që të bëhen të gjitha ndreqjet e mundshme në tekstet tona historike, duhet të kemi parasysh pëlhurën e Penelopes. Jo nga njëra anë thurim, nga ana tjetër shthurim. Është e jashtëkohshme sot që  të botohen vëllime kujtimesh nga ana e Nexhmijes,  me synimet e saj që të bëjë panegjirizmin e diktaturës dhe të bashkëshortit të saj. Diktatura i ka sjellë fatkeqësi të pariparueshme vendit tonë. Dy nga më rrënimtaret kanë qenë mjerimi ekonomik (koha e talonave) dhe bjerrja e frymëzimit kombëtar, nën emblemën e internacionalizmit proletar. Ajo zonjë mëton të bëjë histori. Bën bash vazhdimin indoktrinues të historiografisë së diktaturës.  Nuk mungojnë intervistat përkujtimore në një numër të madh gazetash, por edhe në mediat, ku ajo flet sikur të ishim në një kohë tjetër. Shformon, pra, ende, të vërtetat historike.

Për çështjen e Enciklopedisë së Akademisë maqedonase përmendet emri i gjermanit Shtanmajer, i cilësuar si historian nazist. Po historianët komunistë nuk shihet se ç’po bëjnë në vendin tonë,  sikur të jemi në Kubë apo në Korenë e Veriut?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›