E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushat e minuara të ekonomisë së Prishtinës

Zhvillimet rreth projektit “Kosova e Re” janë mjaft konfuze. Është real rreziku për mundësinë e dështimit të tij. Mbeten edhe dy çështje delikate - dhënia me koncesion e Aeroportit të Prishtinës dhe fillimi i punëve në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar. Nëse edhe këto dështojnë, atëherë Qeverisë nuk i shkruhet mirë.

Mund të kapërdihet disi fakti se sivjet Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 4.4 për qind. Në një vend të varfër, kjo rritje nuk jep shpresa për tejkalim të shpejtë të problemeve. Duke marrë parasysh ambientin për ekonomi, traumat që pësoi bota nga kriza, frikën e investitorëve për dështimet e projekteve, atëherë mund të pranojmë se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur mundësi të bëjë më shumë. Përkundër premtimeve. Megjithatë, duhet pranuar se kjo shkallë e rritjes e bën Kosovën që të dallohet në raport me vendet e rajonit. Mirëpo, Qeveria ndodhet para tri fushave të minuara, të cilat do të duhet t’i kalojë deri në fund të vitit. Është përfundimi i të gjitha fazave tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”, pastaj dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe fillimi i ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdar. Qeveria është peng i afateve që i ka caktuar vet, prandaj mosrespektimi i tyre do ta luhatë besueshmërinë ndaj saj. Kjo as që duhet të ndërlidhet me zgjedhjet lokale, meqenëse këto nuk janë projekte të cilat duhet të identifikohen me një parti, por me efikasitetin e tërë kabinetit qeveritar. Rruga të cilën duhet kaluar është përplot situata të paparashikueshme dhe aspak e lehtë. Posaçërisht për faktin se për herë të parë Qeveria duhet të dëshmohet se sa është e aftë të menaxhojë me tenderë ndërkombëtarë që kanë peshë disamiliardëshe. Ndonëse nga qarqet qeveritare ende vijnë zëra optimistë rreth termocentralit, zhvillimet e fundit flasin për një situatë konfuze. Ndodhi tërheqja e dy kompanive të kualifikuara, më vonë erdhën dilemat që nxori konzorciumi çeko-amerikan CEZ, si dhe mungesa e pasqyrës së qartë se çfarë do të ndërtohet në Kosovë. Sipas strategjisë për energjetikën, mbetet kapaciteti prej 2100 megavatëve. Pastaj është vendimi që në fazën e parë të punohet vetëm për gjysmën e këtij potenciali, ndërsa më vonë të realizohet edhe gjysma tjetër. Tash janë edhe variantet për gjeneratorë me fuqi më të vogël, 300 apo 500 megavat. Sa u përket treguesve teknikë, krejt është në rregull. Madje, për stabilitetin energjetik ndoshta më mirë është që të ngriten blloqe më të vogla. Mirëpo, mosdefinimi i qartë i madhësisë së blloqeve tregon se ende është larg koha kur duhet të nisin negociatat me kompanitë e kualifikuara. Njëkohësisht, ende mbetet dilema për pronësinë e termocentralit të ardhshëm. Nuk është definuar nëse ai do të jetë krejtësisht privat, apo privato-publik. Qeveria ka ambicie që të ketë më shumë se 5 për qind të aksioneve, sado që me shprehjen e interesit të shpallur nga qeveritë e kaluara është thënë se krejt termocentrali do të ndërtohet nga kapitali privat. Këto dilema i kanë vërejtur edhe kompanitë e tërhequra. Padyshim se ato kanë edhe probleme të tjera, mirëpo me vetëm dy kompani të mbetura, Qeveria nuk ka shumë alternativa. Është dobësuar pozicioni i saj në negociata, po ashtu edhe cilësia e tyre.

Sa i përket portit të vetëm ajror të Kosovës, nuk duhet marrë me shqetësim të madh zgjatjen e afatit të tenderit për dhënien e tij me koncesion. Kërkesën edhe për dy javë më shumë mund ta imponojnë edhe problemet teknike. Mirëpo, duket se Qeveria e Kosovës është në kërkim të kompanive më serioze, meqenëse nuk kishte të tilla në afatin e parë. Këtu mundësia për të dështuar është më e vogël se në rastin e termocentralit, posaçërisht pasi në tender është një kompani me shkallë shumë të lartë të profitabilitetit dhe me rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve dhe të fluturimeve. Por, në Sllatinë nuk ndodhet porti ku kryqëzohen shumë rrugë ajrore. Megjithatë, fitimi që arrihet aty është për admirim dhe kjo mund t’i provokojë kompanitë që menaxhojnë me aeroporte. Qeverisë i mbetet të dëshmohet gjatë negociatave dhe të përfitojë sa më shumë. Duhet të jetë vizionare, sepse bëhet fjalë për koncesionin që do të zgjasë 20 vjet. Kërkesat të jenë reale dhe të mos tremben investitorët. Edhe autostrada mbetet punë delikate. Duke marrë parasysh zhvillimet e deritashme në infrastrukturë, padyshim se ndërtimi i saj do të fillojë sivjet. Por, a janë bërë të gjitha përgatitjet që punët të zhvillohen pa asnjë pengesë dhe të përfundojnë brenda 36 muajsh? Shumëçka është ende në lëvizje dhe në formësim. Janë evidentuar kompanitë dhe tereni kah duhet të kalojë “Autostrada e Kombit”. Problem janë paratë. Nuk duhet besuar shumë se në këtë projekt do të investojë Banka Botërore. Fakti se numrin më të madh të pikëve do ta fitojë kompania financiarisht më e fuqishme e identifikon synimin se financimi do të bëhet sipas formulës së partneritetit publiko-privat. Mirëpo, a ka mjaft para buxheti i Kosovës që të jetë bashkëfinancues i dy projekteve të mëdha? Nëse merren parasysh zhvillimet në vitin fiskal 2009, atëherë buxheti do të jetë mjaft i hollë. Nuk do të ruhet as masa e parave të bartura si teprica nga vitet e kaluara. Kjo është pika kritike. Tejkalimi i saj është i barabartë me përfundimin e autostradës. Në të kundërtën, do të përsëritet situata kur në Shqipëri nisi ndërtimi i autostradës me “Taksën Majko”, e cila nuk mjaftoi as për dy kamionë me zhavorr.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›