Lojtari i dominove, “pro” bojkotit...
Tek e thotë mençuria e popullit: Breshka ferrën do, duhet qartësuar sakaq... Ferra i mbulon samarin dhe kusuret njëherësh. Strehë më të mirë se ferra nuk besoj se do të gjejë breshka, nëse gabimisht nuk shkon tek nallbani. Dëgjoja neper TV ish-kryetarin e shtetit. Atë pensionistin, që gojët flasin se shefi i opozitës së atëhershme gjeti duke bërë një dorë domino dhe i propozoi detyrën e lartë të kreut të shtetit. Mirëpo nëse këtë e thonë një mullar me gazeta, që i përkisnin majtas, pa ia bërë syri terr ai i kishte hipur kalit, vuri në kolltukun e kreut të shtetit dhe filloi çuditërisht të godasë opozitën e atëhershme dhe pozitën e mëvonshme që mori pushtetin... Përse gjithë ai mllef, kur në fund të fundit e bëri kryetar shteti. Siç thamë sipër - po breshka ferrën do. Që duhet kuptuar se dardha nën dardhë bie... Ja si e pyetën ish-kryetarin e shtetit për bojkotin e opozitës dhe ai u përgjegj: “Nuk dua që të përzihem me palët, por them se çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë në vendin tonë. Nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon të përfundojë njëherë e mirë manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri dhe të bëjmë edhe ne zgjedhje siç bëjnë të gjithë të tjerët, pa pasur merak se vota e shqiptarëve nuk do të numërohet ashtu si e ka vendosur zgjedhësi”. Edhe plaku kur pi verë, kërcen pupë si djalë me erë. Epo njeriu që pretendon se është mishërim i drejtësisë i jep drejtësi të gabuarës. Kutitë plako, aty ishin e u numëruan - nga të majtë të djathtë nga komisionet, vëzhgues e të huaj dhe pas 4 muajsh përsëritja e një historie të këtillë është tallje me qytetarët e këtij vendi, që kanë njëmijë halle. Alibia e Zotnisë R, që humbi zgjedhjet, i ka hedhur të gjithë në flakë për t’i mbuluar krahët. Mirë do të ishte që t’i jepnin gurët e dominosë në dorë Zotnsë R, se pas një viti, pensionisti Rama nuk do të mund të gjejë më as gurë dominoje e as lojtar për të luajtur, sepse ish-krerët e shtetit kanë filluar të kërrejnë libra.
...