Berisha takon Dulen: Të enjten ministri i ri

Kryeministri ka zgjedhur një prej hoteleve më me emër në Tiranë për t’u takuar me kreun e PDBNJ-së, Vangjel Dulen, dhe deputetin e kësaj partie, Spiro Peçin, për të diskutuar në lidhje me bashkëpunimin mes PD-së dhe PBDNJ-së dhe për të përcaktuar edhe emrin e ministrit të ri të Punës, që do të zëvendësojë Kosta Barkën.
Pas takimit me liderin e opozitës, Edi Rama, dy javë më parë, Vangjel Dule rikonfirmon hapur se është pjesë e koalicionit qeverisës dhe se do të bashkëpunojë me Partinë Demokratike.
I pyetur nga “Shqip”, pas përfundimit të takimit mesditën e djeshme, Dule sqaroi se “diskutuam për koalicionin dhe se ditën e enjte Kryeministri do të bëjë publik emrin e ri me të cilin PBDNJ-ja do të përfaqësohet në qeveri”.
Kreu i PBDNJ-së, megjithëse është përpjekur të justifikojë qëllimin e takimit si “një kafe me rastin e festës së Fiter Bajramit, ku shkëmbyem urimet e përzemërta”, nuk ka përjashtuar se në këtë takim është biseduar edhe për mënyrën e bashkëqeverisjes PD-PBDNJ dhe aleancat që partia e tij do të bëjë në të ardhmen me partinë më të madhe të kampit mazhoritar.
Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha ndodhej në kërkim të një emri tjetër nga radhët e minoritetit grek, ndërkohë që këmbëngulja e kryetarit Dule ka bërë që Kryeministri të negociojë sërish me PBDNJ-në, duke i kërkuar kushte për ndërhyrjen që do të bëjë në kabinetin qeveritar, që do të sjellë automatikisht largimin e Kosta Barkës.
Mësohet gjithashtu se Berisha është larguar nga takimi, me premtimin se do të ketë në favor të tij dhe të çdo ligji që ai do të dërgojë në Kuvend, tri votat e deputetëve Vangjel Dule, Spiro Peçi, por edhe të Leonard Solis, që deri tani, megjithëse kanë qenë pjesë e kabinetit, ata kanë abstenuar në Kuvend.
Konflikti brenda Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka vënë në një pozicion të vështirë kreun e ekzekutivit, pasi e ka detyruar atë të ndryshojë një nga ministrat e tij nëntë muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Mbledhja e fundit e kryesisë së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka sjellë edhe propozimin për shkarkimin e Kosta Barkës nga posti i ministrit të Punës, të cilin e kryen që prej shtatorit të vitit 2005 dhe zëvendësimin e tij me Andrea Marton.
Me gjithë kërkesat e vazhdueshme për ndryshimin e qeverisë që prej dhjetorit të vitit të kaluar nga kampi i PBDNJ-së, Kryeministri Berisha nuk e ka lëvizur përfaqësuesin e minoritetit grek në qeveri.
Vlen të theksohet gjithashtu se kërkesa zyrtare e PBDNJ-së për largimin e ministrit Barka nga qeveria është dorëzuar një javë më parë në Kryeministri, ndërkohë që shefi i qeverisë ishte duke shqyrtuar vendimin që për Berishën nuk ishte surprizë, për shkak të sinjaleve që atij herë pas here i ishin drejtuar nga kreu i PDBNJ-së, Vangjel Dule.