E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Opsion i hapur dalja vetëm në zgjedhje

Tryeza e dështuar e së djathtës ka lënë aleatët e PD-së jashtë vendimmarrjeve për reformën elektorale. Kjo është një nga arsyet pse aleatët kanë nisur rebelimin ndaj partisë më të madhe të koalicionit.

Republikanët lëshojnë ultimatumin e daljes vetëm në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Largimi në mënyrë të hapur të deputetëve, që për tre vjet kanë punuar në Kuvend nën siglën e PR-së, ka bërë që situata të ndizet ndjeshëm në gjirin e republikanëve.

“Partia Republikane ka elektoratin e saj dhe një potencial të ndjeshëm ashtu si në Kuvend, por edhe në bazat e partisë. Është ende herët për të vendosur mënyrën e aleancave. Duhet të jemi të bashkuar në zgjedhje, por kjo gjë do të vendoset pas përcaktimit të Kodit të ri Elektoral”, u shpreh kreu i republikanëve, Fatmir Mediu.

Kodi i ri Elektoral do të ndezë debate mes PD-së dhe PR-së, ku këta të fundit do të jenë gati për të lëshuar edhe ultimatume, një ndër ta është dalja vetëm e republikanëve në zgjedhje.

Një çështje tjetër, ku republikanët do të mëshojnë fort, është edhe ndarja e pronave, proces ky që në tre vjet qeverisje nuk ka ecur me ritmin e pritur të republikanëve.

Tryeza e djathtë

Kryeministri Berisha nuk i mbledh aleatët në një tryezë, për shkak se kërkon të shmangë përballjen me një sërë kërkesash të të vegjëlve të PD-së. Tryeza e së djathtës do të mblidhet vetëm pas përcaktimit të Kodit Elektoral.

Në afrim të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, PD-ja do të “lypë” aleancat e ardhshme për të pasur një koalicion sa më të gjerë në fushatën e qershorit 2009.

Aleatët

Të vegjlit të djathtë kanë nisur “grindjen” me njëri-tjetrin, por edhe përplasjet brenda llojit. PDK-ja dhe PBDNJ-ja përplasen për postet ministrore, ku “lufta” Gurakuqi-Ndoka solli largimin e këtij të fundit nga qeveria dhe shumë shpejt nga lufta brenda llojit del nga qeveria edhe një ministër që përfaqëson minoritetin grek në qeveri.

PDK-ja sulmon drejtpërdrejtë agrarët, ku Nard Ndoka shprehet se “Berisha s’mund të ecë përpara me Lufter Xhuvelin”. Agrarët, nga ana tjetër, kanë një tjetër përplasje, ku Petrit Gjoni, deputeti i PAA-së në Kuvend, pritet të bashkohet me grupin e qendrës, duke synuar largimin nga partia e Xhuvelit.

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, duke përshëndetur zhbllokimin e punës së Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ritheksoi qëndrimin për domosdoshmërinë e një Kodi Zgjedhor sa më të ndershëm e të saktë.

Spahia u shpreh se vullneti politik i partive pjesëmarrëse në këtë komision, duhet të sigurojë zgjedhje të pakontestueshme, për t’i dhënë fund procesit të tranzicionit në Shqipëri për votën e lirë.

Në këtë drejtim, kreu i PLL-së u bëri thirrje partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore që të punojnë sa më shpejt për të fituar kohën e humbur dhe larg interesave të ngushta.

Në të njëjtën kohë, Spahia informoi se “krahas kontributit në qeverisjen qendrore dhe vendore, PLL-ja është duke punuar për organizimin dhe fuqizimin e strukturave të saj në mbarë vendin, me qëllimin e vetëm që kontributi i saj në fitoren e së djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jetë konkret dhe i matshëm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›