Dogana për makinat, si ndryshon

Në udhëzimin e ri janë paraqitur të gjitha afatet dhe format e pagimit të taksave, të cilat lidhen në mënyrë të veçantë me detyrimet doganore.
Ligji ka prekur disa ndryshime te taksat portuale, taksa e qarkullimit rrugor, taksa e peshkimit, e lojërave të fatit, taksa e rentës minerare si dhe taksa e mjedisit.
Kjo e fundit përbëhet nga tre komponentë: taksa e importimit të mjeteve të përdorura, taksa e karbonit për karburantet, si dhe taksa për ambalazhet plastike. Ndër ndryshimet e shumta të pësuara në ligj, bie në sy sistemi i ri i detyrimit doganor për mjetet e transportit, i cili sikurse është bërë publike kohë më parë, llogaritet në bazë të vitit të prodhimit dhe fuqisë motorike.
Në thelb, udhëzimi tregon ka pësuar rritje të taksës doganore për mjetet që kanë tonazh më të lartë dhe me më shumë vende pasagjerësh, duke penalizuar disi sektorin privat të transportit.
Udhëzimi
Procedurat e reja për taksën e importit “godasin” më shumë sektorët privatë, të cilat aktivitetin e tyre e kanë të lidhur me mjetet e transportit.
Nëse për mjetet me më pak vite përdorimi se 10 vjet, taksa e importit pëson ulje, te rasti i mjeteve që përdor sektori privat, shkalla e detyrimit tatimor rritet me 20 mijë lekë.
Kështu, për mjetet e transportit me më shumë se 20 pasagjerë, përfshi shoferin dhe mjete të tjera për transportin e mallrave, mbi 5 tonë, taksa e importit do të jetë 100 mijë lekë, kur në ligjin e mëparshëm ishte 80 mijë lekë. Këtë masë detyrimi doganor e kanë mjetet e transportit me më pak se 20 pasagjerë dhe transport mallrash deri në 5 tonë, i pandryshuar nga sistemi i kaluar.
Edhe për mjetet e transportit në sektorin e bujqësisë (traktorët), taksa është e përcaktuar fikse në 48 mijë lekë, në një kohë kur opozita dhe grupet e interesit kishin propozuar një masë 8 mijë lekë më pak.
Të gjitha këto taksa i referohen mjeteve me vit përdorimi me më pak se 10 vjet dhe që paguhen në fillim të çdo viti. Shkallë më të lartë takse kanë mjetet me vite përdorimi mbi 10 vjet, gjithnjë në varësi të numrit të pasagjerëve dhe tonazhit.
Konkretisht, për mjetet e transportit deri me 20 pasagjerë dhe transport mallrash deri në 5 tonë, taksa fikse do të jetë 128 mijë lekë në vit, ndërsa mbi 20 pasagjerë dhe 5 tonë, do të jetë 160 mijë lekë.
Për mjetet e transportit në sektorin e bujqësisë, taksa është 40 mijë lekë, pra 8 mijë lekë më pak në krahasim me mjetet me më pak vite përdorimi se 10 vjet.
Automjetet
Udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave i ka kushtuar disa faqe materiale procedurave që duhen ndjekur për pagimin e taksës së importit për automjetet, të cilat edhe këto kanë disa detyrime që lidhen me vitin e përdorimit.
Kjo taksë paguhet nga importuesi i mjetit të përdorur, në momentin e zhdoganimit të tij, proces ky që kryhet pranë sporteleve të pikave doganore.
Konkretisht, për automjetet aplikohet një taksë fikse 20 mijë lekë për çdo veturë me benzinë dhe 25 mijë lekë për çdo veturë me naftë.
Llogaritja e taksës doganore bëhet sipas formulës: taksa fikse x cilindrat e motorit x koeficientin e viteve të prodhimit.
Cilindrat e motorit është volumi i dhomës së djegies së motorit të shprehur në centimetër kub dhe jepet me certifikatën shoqëruese të mjetit.