E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon ambasadorin e ri italian, Massimo Gaiani

TIRANE - Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ambasadorin e ri të Italisë në vendin tonë, zotin Massimo Gaiani. Kryeministri i shprehu ambasadorit Gaiani mirëseardhjen dhe i uroi sukses në detyrën e re.
Zyra për shtyp e Kryeministrisë bëri të ditur se shefi i qeverisë çmoi nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve po njohin zhvillime të vrullshme.

Berisha shprehu vlerësimet më të larta për zgjedhjen e kryeministrit të ri të Italisë, Mario Monti, duke e vlerësuar atë si një figurë të spikatur, si dhe siguroi ambasadorin për vlerësimin e lartë që qeveria ka për kabinetin e ri qeveritar të drejtuar nga Monti.
Nga ana e tij, ambasadori italian i cilësoi marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyera dhe shprehu angazhimin e tij për t’i thelluar ato më tej në të ardhmen.

Në përgjigje të interesit të Kryeministrit për nxitjen e investimeve italiane në Shqipëri, si një vend që ofron potenciale të mëdha, ambasadori Gaiani shprehu angazhimin për të punuar në këtë drejtim duke ndjekur vazhdën shumë pozitive të investimeve italiane gjatë viteve të fundit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›