E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sokol Olldashi: “Partia e re e Bamir Topit do dështojë si grushti i shtetit më 21 janar”

14-01-2012 / Gazeta 55

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve Sokol Olldashi, shprehet se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës do të jetë tërësisht në respekt të Kushtetutës së vendit. Një ndër eksponentët kryesorë të Partisë Demokratike, në një deklaratë për mediat, thekson se konsensus nuk do të thotë që t’i lësh fushë të lirë për gjithçka opozitës.
“Nuk mund të na kërkohet dhe as kemi ndërmend të bëjmë, procedurë tjetër përveç asaj që parashikon kushtetuta e vendit. Nuk mund të thuhet që klima e konsensusit është nëse mazhoranca i ofron gjithçka opozitës. Sepse, ç’kuptim do të kishte nëse ne i ofrojmë opozitës Avokatin e Popullit, Presidentin e Republikës apo dhe shumë institucione të tjera kushtetuese? Përndryshe, pse e zgjidhin qytetarët mazhorancën?”, tha Olldashi. Sipas tij, Kushtetuta përcakton kriteret e zgjedhjes së presidentit, ndërsa për sa i përket një kandidature të mundshme të Topallit në krye të shtetit Olldashi tha se “edhe pse PD nuk ka ende emra konkretë, Topalli do të ishte një kandidaturë e mirë, pasi ka një karrierë të pasur politike”.
Ndërsa, lidhur me kandidaturën e Nanos, Olldashi shprehet se Nano nuk ka shanse për të qenë president i vendit”.
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi i referohet dhe presidencës së Bamir Topit, duke u ndalur posaçërisht te ngjarjet e 21 janarit një vit më parë, për të cilin, sipas tij, ka fakte që tregojnë se Bamir Topi ishte i përfshirë në tentativën për grusht shteti.
“Bamir Topi nëse nuk e shikonte dot drejtpërsëdrejti, mund që ta shihte fare mirë nga zyra e tij dhe nuk mund të fliste për ‘ngjarje bulevardi’. Të gjitha angazhimet e mëtejshme që kanë pasur institucionet e drejtësisë, përfshirë prokurorinë, kanë qenë të influencuara nga presidenti i republikës, i cili, mendoj që duke goditur qeverinë dhe mazhorancën do të mund të fillonte t’i hapte udhë asaj që tashmë po e shikojmë në rreshtat e gazetave, që është partia e tij e ardhshme”, tha Olldashi.
I pyetur se sa e dëmton Partinë Demokratike partia e re e Bamir Topi, Olldashi tha se dëmi do jetë po aq sa e ‘dëmtoi’ mazhorancën Topit në grushtin e shtetit të dështuar, në 21 janar 2011. “Më lejoni të them se ka pasur një angazhim të tmerrshëm të Bamir Topit kundër kësaj mazhorance më 21 janar të vitit të shkuar. Sigurisht që shkaktoi bezdi, por nuk shkaktoi dëm ndaj mazhorancës. Duke ecur brenda kësaj logjike, partia e Topit do t’i shkaktojë dëm kësaj mazhorance po aq dëm sa i shkaktoi Topi mazhorancës së Partisë Demokratike me grushtin e shtetit të 21 janarit”, theksoi Olldashi.
Ministri i Transporteve vë në dukje se problemet e tij me Bamir Topin nuk kanë lindur vetëm gjatë kohës që ky i fundit drejtonte shtabin elektoral të Partisë Demokratike në garën elektorale për Tiranën në zgjedhjet lokale të vitit 2007. “Në forumet e Partisë Demokratike dhe çdo strukturë drejtuese të saj, në mënyrë shumë të qartë, jam shprehur kundër kësaj kandidature. Qëndrimi im ka qenë kundër kandidimit të Topit për President të Republikës dhe nuk ka një ndryshim qëndrimi në raport me Bamir Topin. Unë e kam ditur që në ditët e para se ai nuk e meritonte të ishte në krye të shtetit, pasi nuk plotësonte kriteret, nuk plotësonte kushtet do të thosha, që lidhen me angazhimin institucional. Dhe, për fat të keq pata të drejtë”, tha ai. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›