E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon liderë botërorë, garanton mbështetje për reformat

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha mori pjesë, krah liderëve botërorë, në hapjen e Samitit mbi Ndryshimin e Klimës, që zhvillon punimet në SHBA. Seanca u përshëndet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Një diskutim që vijoi më tej dhe në drekën zyrtare si dhe Tryezën e Rrumbullakët të Kryetarëve të Shteteve dhe të Qeverive, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri i Shqipërisë Berisha.
Vizita zyrtare e kryeministrit në SHBA është shoqëruar dhe me takime të posaçme me liderë botërorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Takimet u përqendruan në angazhimin e qeverisë për reforma të gjithëanshme.
Kryeministri Berisha ishte i ftuar dhe në punimet e Konferencës “Zhvillimi dhe Bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”, organizuar nga Millenium Challenge Corporation dhe Organizata “Interaction”. Kryemisinitri e fokusoi fjalimin e tij në konferencë në rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit dhe ndërmarrjes së reformave efikase në këtë drejtim. Berisha falenderoi posaçërisht qeverinë amerikane dhe koorporatën e sfidave të mijëvjeçarit për ndihmën e ofruar për Shqipërinë, para të cilat sikurse tha kryemsinistri, u përdorën me efiçencë të plotë.
“Këto para u përdorën në disa projekte të rëndësishme e të suksesshme, të cilat ndryshuan shumë vendin dhe luftuan burokracinë dhe si rrjedhojë korrupsionin, si Regjistrimi i Biznesit (ONE STOP SHOP), i cili ndihmoi shumë njerëzit e biznesit dhe komunitetin e biznesit në përgjithësi. Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë dhe eficente për të luftuar varfërinë dhe mizerjen, sesa lufta kundër korrupsionit, ndaj jam shumë i lumtur se kjo iniciativë e nisur nga Presidenti Bush u mbështet plotësisht edhe nga Presidenti Obama. Kjo në bindjen time është një nga ndihmesat më të mëdha që SHBA i ka dhënë vendeve të tyre mike si Shqipëria.”
Millenium Challenge Corporation, është agjencia e qeverisë amerikane, e cila ndihmon vendet në zhvillimin e tyre, për të garantuar një qeverisjeje më të mirë e të promovojnë rritjen ekonomike. Po kështu dhe “InterAction” një nga aleancat më të mëdha në SHBA, me plot 180 Organizata Joqeveritare anëtare, fokusohet në çështje të luftës ndaj varfërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›