E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon në SHBA sipërmarrës shqiptaro-amerikanë

Në New York kryeministri Sali Berisha ishte i ftuari i nderit në mbrëmjen Gala të organizuar nga Rrjeti i profesionistëve dhe sipërmarrësve shqiptaro-amerikanë, APEN. Fjalimin e tij kryeministri i Shqipërisë e fokusoi në arritjet e vendit në vitet e fundit kryesisht reformat e ndërmarra për një klimë gjithnjë më të favorshme për biznesin. Berisha përmendi vendosjen e barrës fiskale më të ulët në Evropë, vendosjen e taksës së sheshtë 10%, rritjen e të ardhurave, prokurimeve elektronike, taksës elektronike, hapjen e “One Stop Shop” për regjistrimin e biznesit, heqjen e një pjese të madhe të licencave dhe vendosjen e tyre në “One stop Shop”. Kryeministri tha se te këto arritje do të konsolidohen katër vite që vijnë për të mbërritur në një objektiv të rëndësishëm që ka vendi, integrimi në BE.
Kryeministri foli gjithashtu për projektin e qeverisë Brain Gain, i cili inkurajon të rinjve shqiptarë që studiojnë jashtë për të investuar kapacitetet e tyre intelektuale në Shqipëri. Kryeministri siguroi të pranishmit se qeveria shqiptare do të mbështesë biznesin e huaj dhe atë shqiptar duke u krijuar mundësi që të shfrytëzojnë potencialet e saj në turizëm, infrastrukturë, miniera, energji, apo ndërtim, gjë që u mirëprit nga përfaqësuesit e rrjetit të profesionistëve dhe sipërmarrësve shqiptaro-amerikanë.
Rrjeti i profesionistëve dhe sipërmarrësve shqiptaro- amerikanë është një organizatë, e cila i kushtohet ndihmës, mbështetjes dhe reklamimit të arritjeve të komunitetit shqiptar si dhe zhvillimit profesional të tij. Kjo organizatë, që prej tre vitesh është kthyer në një mbështetje të fuqishme për ata profesionistë dhe biznesmenë shqiptaro – amerikanë, të cilët kërkojnë të mbajnë të forta lidhjet me Shqipërinë dhe të investojnë në atdhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›