Berisha takon përfaqësuesit e Heritage Foundation, kërkon qeveri teknike për zgjedhje të lira

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, priti në selinë e PD-së përfaqësues të Heritage Foundation dhe të Qendrës Human Flourishing, me të cilët diskutoi për situatën politike në Shqipëri, protestat kundër qeverisë, çështjet e familjes dhe kërkesën për krijimin e një qeverie teknike.
Në takim morën pjesë James Carafano, këshilltar i lartë i Presidentit për angazhimet ndërkombëtare, E.W. Richardson, Mario Enzler, Grace Melton, si dhe Richard dhe Helen DeVos nga Qendra Human Flourishing. Delegacioni amerikan shoqërohej nga pastori Akil Pano dhe përfaqësues të Fondacionit për Familjen.
Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, Berisha falënderoi Heritage Foundation për mbështetjen ndaj PD-së që prej viteve 1990 dhe vlerësoi kontributin e fondacionit në hartimin e politikave dhe programeve qeverisëse të partisë. Ai vlerësoi gjithashtu punën e pastor Akil Panos dhe Koalicionit për Familjen.
Gjatë takimit, Berisha shprehu kundërshtimin ndaj Ligjit për Barazinë Gjinore, të cilin e lidhi me atë që e cilësoi si ideologji gjinore, dhe falënderoi përfaqësuesit amerikanë për qëndrimin e tyre ndaj kësaj çështjeje.
Kreu i PD-së i informoi përfaqësuesit amerikanë edhe për protestat kundër qeverisë, të cilat i përshkroi si protesta studentore kundër korrupsionit, narkoshtetit dhe manipulimit të zgjedhjeve. Ai shtoi se, Partia Demokratike është angazhuar në mbështetje të kësaj lëvizjeje.
Berisha akuzoi qeverinë për lidhje të pretenduara mes krimit të organizuar dhe institucioneve shtetërore, duke pretenduar se kartelet shqiptare të drogës kanë ndikim në polici, gjyqësor dhe prokurori, si dhe lidhje me përfaqësues të ekzekutivit.
Ai ngriti akuza edhe për mënyrën e dhënies së licencave për kazino dhe hotele, si dhe për takime të pretenduara mes trafikantëve të drogës, ndërtuesve dhe përfaqësuesve të qeverisë.
Duke folur për ekonominë, Berisha pretendoi se zhvlerësimi i euros dhe dollarit, rënia e prodhimit industrial dhe rritja e sektorit të ndërtimit lidhen me ndikimin e ekonomisë së paligjshme.
Ai iu referua gjithashtu shifrave që ia atribuoi Eurostat-it për emigracionin shqiptar gjatë dekadës së fundit, si dhe rënies së lindjeve, duke i cilësuar këto zhvillime si pasoja të rënda për vendin.
Në përfundim, duke iu referuar kushteve në të cilat u zhvilluan zgjedhjet e fundit parlamentare dhe gjetjeve të raporteve ndërkombëtare, Berisha përsëriti kërkesën për krijimin e një qeverie teknike, të cilën e konsideron kusht të domosdoshëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Akuzat dhe vlerësimet e paraqitura gjatë takimit janë qëndrime të Partisë Demokratike dhe të kryetarit të saj.
/gj.m/a.f/