Balla reagon për komentet e dy kongresmenëve amerikanë: Mediu nuk i ka informuar siç duhet, dhuna ka vulën e ANTIFA

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj komenteve të dy kongresmenëve amerikanë për protestat në Tiranë, të publikuara në rrjetin social X.
Balla shprehet se Fatmir Mediu nuk i ka informuar siç duhet kongresmenët, ndërsa lidh aktet e dhunës dhe rrëmujën gjatë protestave me atë që ai e cilëson si ndikim të ANTIFA-s.
“Dy kongresmenëve që paskan komentuar protestat në X mund t’ju them vetëm se Fatmir Mediu nuk i paska informuar siç duhet dhe që dhuna dhe rrëmuja kanë vulën e ANTIFA, të cilën vetë Presidenti Trump vjet në shtator e ka shpallur organizatë terroriste. Kaq!”, shkruan Balla.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj komentit të kongresmenit amerikan Joe Wilson për protestat në Tiranë, të publikuara në rrjetin social X.
Wilson shprehej se e ka ndjekur me shqetësim “përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton lirinë, sundimin e ligjit dhe përgjegjshmërinë institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zërin e tyre në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre.”
Reagimi i Wildson u pasua edhe nga kongresmeni Robert Aderholt.
“Jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton shtetin e së drejtës, institucione llogaridhënëse dhe lirinë për të shprehur zërin e tij. Të gjitha palët duhet të refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre në përcaktimin e së ardhmes së vendit”, shkroi Aderholt në rrjetin social X.
/gj.m/a.f/