Berisha: Deklaratat e kongresmenëve amerikanë, inkurajim për protestuesit në mosbindjen civile

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cilësoi deklaratat e kongresmenëve amerikanë Keith Self dhe Robert Aderholt si mbështetje për protestuesit dhe studentët që, u shpreh ai, po zhvillojnë një betejë kundër korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes.
Në një deklaratë për mediat, Berisha shprehu mirënjohjen për kongresmenët amerikanë, duke theksuar se qëndrimet e tyre përbëjnë një mesazh inkurajimi për qytetarët që marrin pjesë në protestat dhe aksionin e mosbindjes civile.
“Së pari, duhet të shpreh mirënjohjen time më të thellë kongresmenëve të Kongresit të SHBA, Keith Self, Robert Aderholt për deklaratat e tyre në mbështetje të fuqishme të revoltës studentore, betejës së tyre kundër korrupsionit të niveleve më të larta.
Këto deklarata, që vijnë nga tempulli i demokracisë amerikane, janë frymëzim dhe inkurajim për studentët, gjimnazistët, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që në këtë mosbindje civile duan të ndahen përfundimisht nga regjimi i kakistokracisë, narkoshteti i parë dhe i vetëm i Edi Ramës, sistemi kleptokratik i tij”, deklaroi Berisha.
/gj.m/a.f/