E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon studentët

Tiranë - Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim mbrëmjen e shkaur me mijëra studentë në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka kujtuar 19 vite më parë, kur studentët “shpërthyen” në protesta, duke ndryshuar sistemin komunist. Ndryshe nga atëherë, tani kryeministri Berisha ka shkuar për t’u treguar atyre premtimet e mbajtura dhe premtimet që do të realizohen në katërvjeçarin e ardhshëm.

“Shqipëria në vitin 2013, me numër studentësh më të lartë se mesatarja e BE-së, sepse ne jemi më të rinjtë në Europë, sepse ne kemi më shumë si ju. Në këtë mënyrë, ne bëjmë investimin më madhor për të ardhmen tonë. Në katër vite, unë së bashku me ju, do të bëjmë që Shqipëria të ketë një infrastrukturë tërësisht të re dhe moderne, do të bëjmë që shqiptarët të udhëtojnë në rrugët më të mira dhe më të shkurtra në vendin e tyre”-tha ndër të tjerash shefi i ekzekutivit.

Ai ka premtuar edhe një herë tjetër, furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në ditë për qytetarët shqiptar, duke treguar se kështu kishte premtuar për energjinë elektrike në vitin 2005, premtim i mbajtur tashmë.

“Në katër vite, mësuesit shqiptarë, pedagogët tuaj, do të paguhen më mirë se ata të 6 vendeve anëtare të BE-së”-tha më tej. “Le të punojmë të gjithë së bashku që me zgjedhjet e 28 qershorit, Shqipëria të bëhet si gjithë Europa. Europa votoi blu. Për ju, për shqiptarët, çdo votë majtas është votë pas, është votë për të shkuarën. Ndaj le të bashkohemi të gjithë, të votojmë për veten tonë, të votojmë për Tiranë europiane, për idealet tona europiane, për Shqipërinë europiane”-tha kryeministri i vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›