E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon zv/Sekretarin amerikan të Shtetetit në Kroaci

Ata ndodhen në Dubrovnik për të marrë pjesë në Samitin e kryetarëve tё qeverive dhe personaliteteve nё fushёn e vendimmarrjes dhe opinionbёrjes nga Europa Juglindore, BE, SHBA dhe Mesdheu, me temё “Shtet-ndёrtimi dhe eksperienca europiane“, që po zhvillohet në datat 6-7 korrik.

Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe ecuria e reformave në të gjitha fushat.

Kryeministri Berisha e njohu zv/Sekretarin Gordon me hapat e rëndësishëm të ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, në veçanti, për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, ecurinë pozitive  të reformës zgjedhore, por edhe nismën shumë të rëndësishme të deputetëve të koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët, e cila vlerësohet si një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme e thelbësore në luftën kundër korrupsionit.
     
Kryeministri theksoi se kjo nismë përmbush një angazhim të hershëm të qeverisë së udhëhequr prej tij dhe se ajo është e hapur për mbështetjen më të gjerë nga i gjithë spektri politik.
    
 Zv/sekretari i Departamentit të Shtetit Gordon shprehu kënaqësinë e veçantë që takohej me Kryeministrin Berisha dhe i  përcolli Kryeministrit përshëndetjet më të përzemërta të Sekretares së Shtetit Klinton dhe i rikonfirmoi dëshirën e saj për të vizituar së shpejti Shqipërinë.
    
 Zv/sekretari Gordon shfrytëzoi rastin për t’i transmetuar Kryeministrit Berisha urimet dhe përshëndetjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Presidentin e ri të Republikës.
     
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu kënaqësinë e veçantë që takohej me z, Gordon dhe i kërkoi atij t'i ripërsërisë Sekretares Clinton se shqiptarët do të jenë shumë të lumtur e krenarë ta presin atë, si mike të madhe e të shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, në këtë vit jubilar e historik të 100 vjetorit të pavarësisë./Start/

                                                                                             2012-07-07 12:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›