E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha te Kievo, klubi e konfirmon, lojtari e mohon

Tashmë është zyrtare, Etrit Berisha do të jetë shqiptari i radhës në Serie A. Portieri titullar i kombëtares shqiptare do të nënshkruaj një kontratë 3-vjeçare me Chievo Veronan. Lajmin e bën të ditur klubi i Kievos nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të internetit. Sipas asaj që shkruhet në komunikatën zyrtare, portieri shqiptar do të bashkohet me ekipin në Janarin e vitit 2014 pasi të ketë përfunduar plotësisht detyrimet kontraktuale me Kalmarin në Suedi.

Shtatlarti kuqezi do të lirohet me parametra zero nga klubi italian që i propozoi një kontratë 3-vjeçare dhe ndoshta edhe vendin e titullarit në “Bentegodi”. Etrit Berisha do të pajiset me pasaportë suedeze brenda një kohe të shkurtër, për të luajtur si lojtar komunitar në radhët e verdhebluve të presidentit Campedelli. Kjo nuk është hera e parë që Chievo Verona bashkon me grupin e saj një portier shqiptar, sepse ishte Samir Ujkani ai që u transferua te kjo skuadër të merkaton e dimrit gjatë këtij viti në formë huazimi nga Palermo. Pas disa muajve ku nuk arriti të gjente një vend në formacionin titullar, zëvendësuesi i Berishës në kombëtare, u rikthyer te skuadra siçiliane ku po vazhdon stërvitjen aktualisht.

Por gjigandi i portës së Kombëtares mohon gjithçka në faqen e tij zyrtare në “facebook” ku thotë: “Ende nuk kam arritur asnjë marrëveshje me asnjë klub. Me Kievon kam pasur një marrëveshje, por që nuk shkoi deri në përfundim, prandaj jam ende në kërkim të klubit të ardhshëm”

Etrit Berisha lindi në Prishtinë 24 vjet më parë dhe e nisi karrierën me skuadrën vendase 2 Korriku për t’u transferuar në vitin 2008 te Kalmari në Suedi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›