E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoenes në gjykatë për evazion fiskal

Presidenti i Bayern Munchen, Uli Hoeness u akuzua zyrtarisht për evazion fiskal dhe shmangie të taksave. Pas muajsh të tërë hetimesh, hetuesit gjermanë dorëzuan në gjykatë një dosje voluminoze në të cilën akuzojnë presidentin e Bajernit për shmangje të tatimeve në vlera kolosale.

Tashmë, avokatët dhe përfaqësuesit ligjorë të Hoeness kanë një muaj kohë për të kundërshtuar akuzat, para se muajin e ardhshëm, një gjykatë të vendosë nëse cështja duhet të gjykohet apo jo. Lajmi për ekzistencën e një llogarie të fshehtë në emër të presidentit të Bayern Munchen në fillim të këtij viti, shkaktoi indinjatë në publikun gjerman. Edhe vetë kancelarja gjermane u përfshi duke deklaruar përmes zëdhënësit të saj se ndjehej e zhgënjyer nga ish-futbollisti i kombëtares.

Hoeness pranoi në fillim të këtij viti mosdeklarimin e një llogarie bankare në një bankë në Zvicër. Shuma e parave në këtë llogari nuk është publikuar as nga presidenti i Bajernit dhe as nga autoritetet gjermane, por mediat vendase flasin për miliona euro të depozituara përgjatë 10 viteve të fundit në bankat e Zyrihut. Akuzat ndaj Hoeness mbërrijnë në një moment kur skuadra e drejtuar prej tij për pak ditë nis sezonin e ri në mbrojtje të kurorës si kampione e dyfishtë, në Gjermani dhe në Europë./indeksonline/ 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›