E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha te Papa: Si Skënderbeu, fiks 543 vjet më parë

 

BLEDAR HOTI

Kryeministri Berisha pritet në një audiencë të veçantë nga Shenjtëria e Tij, Papa Bendikti XVI, në Vatikan. Kreu i qeverisë ishte dje  në këtë takim së bashku me bashkëshorten  Liri Berisha dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas ceremonialit të rojeve zvicerane, Kryeministri zhvilloi një takim të zgjatur kokë më kokë, me Papa Bendikti XVI, takim i cili kaloi në një atmosferë mjaft të përzemërt. Më pas, Shenjtëria e Tij, takoi edhe zonjën Berisha, si dhe delegacionin që shoqëronte. Në takim, Kryeministri i shprehu mirënjohjen e thellë papës, për mbështetjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë konsolidimit të demokracisë shqiptare, zhvillimit ekonomik dhe kulturor të vendit, që në fillimet e demokracisë e deri më sot. Papa Bendikti XVI u shpreh se Selia e Shenjtë do të mbështesë plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ky takim do të mbetet i pashlyer në kujtesën e të pranishmëve, pasi pikërisht 543 vjet më parë, më 12 dhjetor 1466, Papa Pali II do të priste në Vatikan, në audiencë Gjergj Kastriot Skënderbeun, ditë të cilën Kryeministri Berisha, e cilësoi një datë të paharrueshme. “Kombi shqiptar dhe Vatikani, kanë një histori të gjatë bashkëpunimi aleance, rreth vlerave të mëdha të njeriut, të shoqërisë dhe besimeve. Por unë gjithashtu, kisha një rast akoma më të veçantë, sepse duhet ta dini se në dhjetor të viti 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, monsignor Vicenzo Paglia dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët na shoqëruan ne, na ndihmuan ne, në betejën tonë për të nxjerrë vendin nga diktatura dhe për të arritur atë fitore që arritëm më 22 mars të viti 1992”, deklaroi Berisha. Sipas kryeministrit, në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjithmonë e gjallë mbështetja e madhe  që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës, në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet. “Interesi direkt i Papa Gjon Palit II, nxjerrjes e tij nga kthetrat e Millosheviçit me anë të dërguarve të tij direkt në Beograd me angazhimin e tij, të gjitha këto janë momente të mëdha në miqësinë midis Vatikanit dhe Shqipërisë. Natyrisht në bisedimet dhe në audiencën shumë të ngrohtë dhe të përzemërt që më rezervoi, i shpreha mirënjohje për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë në procesin e integrimit”, theksoi Berisha. Papa Benedikti  XVI i ka garantuar se ai dhe selia e Shenjtë, mbështetin plotësisht procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndjekin me admirim arritjet e Shqipërisë në këtë drejtim dhe janë të sigurt në të ardhmen e shkëlqyer evropiane të Shqipërisë.

Ftesa për 100 vjetorin e Nënë Terezës
Berisha për të diture se “unë e shfrytëzova rastin dhe i dorëzova ftesën Shenjtërisë së Tij, Papës Benedikti XVI,  të cilin e ka ftuar edhe Episkopati i Shqipërisë, që këtë 100-vjetor, ta kthejmë vizitën e tij në një ngjarje kulmore, në festimin e 100-vjetorit që Nënë Tereza meriton. E njoha gjithashtu me përpjekjet që ne po bëjmë, për ta festuar sa më me dinjitet, për ta nderuar sa më me dinjitet, këtë bijë të madhe të Shqipërisë dhe të mbarë njerëzimit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›