Moratoriumi, shkelet Kushtetuta
Aristir Lumezi
Moratoriumi i ri për ndalimin e mjeteve lundruese shqiptare shkel kushtetutën. Ligji i ri i miratuar nga qeveria në mbledhjen e saj të fundit, i cili shtyn dhe për tre vjet pezullimin e të gjitha mjeteve shqiptare të lundrimit në ujërat tona, përfshin edhe mjetet motorike të lundrimit turistik dhe të sporteve ujore, të cilat verën e kaluar u shtuan në masë në plazhet shqiptare. Duke iu referuar neneve të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, zbatimi i këtij moratoriumi, pas përfundimit të ligjit që veproi deri pak javë më parë, cenon rëndë të drejtat e njeriut për të lëvizur lirisht dhe për të gëzuar një pasuri private. Nëse do t’i referohemi kushtetutës, ligji i ri shkel nenin 38 të Kushtetutës, që thotë se “Kushdo ka të drejtë...të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit”, ndërsa neni 41, pika 1 e saj sanksionon se “E drejta e pronës private është e garantuar”. Është neni 17, pika 1 dhe 2 i Kushtetutës, i cili flet për kufizimet e të drejtave dhe lirive të shtetasve, por që dhe këto duhen rregulluar mirë me qëllimin e tyre. Por dispozita më penalizuese e Moratoriumit të miratuar nga Këshilli i Ministrave është neni 1, paragrafi 2, sipas të cilit: “Pezullimi përfshin edhe mjetet motorike të lundrimit turistik dhe të sporteve ujore”. Kjo dispozitë nuk përmbahej në Moratoriumin e miratuar në vitin 2006. Pikërisht kjo dispozitë, vjen në kundërshtim me Kushtetutën pasi kufizimi i të drejtës për të lëvizur dhe të drejtës për të gëzuar në mënyrë paqësore pronën, nuk është në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar, dhe për më tepër cenon vetë thelbin e këtyre të drejtave të njohura e garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane. Me këtë dispozitë shkelet dhe parimi kushtetues i prezumimit të pafajësisë, duke kufizuar liritë e qytetarëve me prezumimin se mbajtësi i çdo mjeti motorik për lundrim ose transport tokësor, potencialisht është trafikant. Argumentimi se nëpërmjet këtij ligji parandalohen veprat penale të lidhura me trafikun e paligjshëm detar, jo vetëm nuk qëndron, por edhe sikur të legjitimohej në 2006-ën, tani nuk mund të legjitimohet më.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratua dhe një ndryshim në ligin për “Inspektimin e Ndërtimit”. “Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave vendosi Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin e ndërtimit””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Sipas këtij projektligji do të ngrihet një strukturë speciale që do të parandalojë ndërtimet pa leje.
Pikat e moratoriumit të ri
Pezullohen të gjitha lëvizjet e mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë
Pezullimi përfshin edhe mjetet motorike të lundrimit turistik dhe të sporteve ujore.
Afati i zbatimit të këtij ligji është 3 vjet nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Përjashtohen nga ky moratorium:
a) mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portuale;
b) mjetet lundruese të destinuara vetëm për peshkim
c) mjetet e transportit detar, që shërbejnë për transportin e mallrave;
ç) mjetet e transportit detar, të licencuara për transport pasagjerësh dhe të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar, si mjete lundruese për transport udhëtarësh.
PS do ankimojnë në Kushtetuese Ligjin për Inspektoriatin e Ndërtimit
Partia Socialiste do ankimojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për ngritjen e një njësie speciale pranë Inspektoratit të Policisë Ndërtimore. Sipas deputetit Erjon Braçe, me këtë vendim kryeministri synon të mbulojë ato që ai i quajti veprime abuzive ndaj pronës së të tjerëve. "Ne do të atakojmë këtë projektligj bashkë me ndryshimet e tij në Gjykatën Kushtetuese, në rastin më të parë që merr formën e plotë. Individët e rekrutuar deri tani në Inspektorat, marrë nga arkivat e 14 shtatorit, shtuar me gangsterë të rinj, do të atakohen prej nesh me forcën e ligjit", u shpreh Braçe.