E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera akuzon në greqisht Vangjel Dulen

 

SARANDE – Përkujtimi i 4 martirëve të demokracisë në komunën Aliko përplas përfaqësuesit e minoritetit, Spiro Kserën dhe Vangjel Dulen. Ndonëse përfaqësojnë forca të ndryshme politike, i pari deputet i PD-së, aktualisht ministër i Punës dhe i dyti i PBDNJ-së, ata ishin të ftuar në ceremoninë e zhvilluar në nder të të rinjve që u vranë në kufi më 12 dhjetor 1990, në përpjekje për t’u arratisur nga regjimi komunist. Të ftuar në këtë përkujtim të organizuar nga “Omonia” dhe komuna e Alikos morën pjesë familjarët e viktimave, të autoriteteve qendrore e vendore dhe të ftuar të tjerë, mes tyre Ksesa, Dule dhe deputeti i PASOK-ut, Mihalis Pandullas. Në fjalën e tij, ministri Ksera ka vlerësuar aktin e guximshëm të djemve të minoritetit, Thimjo Masho, Thanas Koçi, Ajdhon Rafti dhe Vangjel Mitro që parathanë ardhjen e demokracisë, duke sakrifikuar për shembjen e diktaturës dhe lëvizjen e lirë. Ksera është shprehur edhe për mungesën e kreut të “Omonia’-s Bollano, për të cilin tha se nuk mund ta justifikojë me asgjë mungesën në këtë veprimtari nderuese. Duke folur në greqisht, deputeti hodhi akuza direkte në adresë të Dules. Duke u shprehur se: “Deputetët e sotëm janë ata që rrinë afër ish-ministrit që urdhëroi vrasjen në kufi të djemve martirë”. Nga ana e tij, Vangjel Dule reagoi indirekt, duke u shprehur ndër të tjera, se: “Sot helenizmin është më mirë ta kesh në shpirt, dhe jo në buzë”. Pranë monumentit në përjetësim të katër djemve martirë u vunë kurora me lule, ndërsa nxënësit e shkollës së Alikos kishin përgatitur një koncert. Katër djemtë e rinj u ekzekutuan në kohën kur ende nuk kishte rënë regjimi. Ata u qëlluan për vdekje nga ushtarët e postës kufitare shqiptare, ndërsa tentonin të kalonin kufirin në Çiflik të Konispolit. Pas vrasjes së katër të rinjve me urdhër të drejtuesve të Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës u ndalohet të afërmve të tërheqin trupat e bijve të tyre nga vendi ku ishin vrarë dhe masakruar. Atëherë banorë të fshatit Aliko me hunj, sopata e mjete të tjera nëpër duar nisen drejt fshatit Shkallë, duke detyruar pushtetarët të lejonin marrjen e trupave. Ish-president Berisha akordoi për ta në 1996 titullin e lartë “Martirë të Demokracisë”.         sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›