E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS nis javën e protestave, më 21 dhjetor në Tiranë

 

Opozita do të nisë javën e protestave nga e hëna, që do të përfundojnë më 21 dhjetor në Tiranë. Sipas një grafiku, protestat do të zhvillohen në qytetet kryesore që janë dhe qendër qarku me të njëjtin slogan, “Hap kutitë ose largohu”. Protestat do të nisin me qytetin e Durrësit dhe do të përfundojnë me Lezhën dhe Shkodrën, për t’u grumbulluar sërish në një protestë të madhe në Tiranë, që do të jetë dhe protesta e fundit e opozitës për këtë vit. Kryefjalë e këtyre protestave, që do të zhvillohen kryesisht në bashki, që drejtohen nga të zgjedhurit vendorë socialistë, do të jetë hapja e kutive. Por përveç kutive, një tjetër pikë e fortë e skenarit të tyre, do të jetë dhe marrëdhënia e qeverisë me pushtetin vendor. Socialistët kanë akuzuar qeverinë se po cenon pavarësinë e bashkive dhe komunave. Masa më e ndjeshme është rënia e fondeve nga grumbullimi i taksave së biznesit të vogël, një pjesë e të cilit do të kalojë si biznes i madh, por dhe shkurtimet në masë që pritet të bëhen nga bashkitë e mëdha. Socialistët janë shprehur se do të jetë muaji janar ai që do të bashkojë më shumë shqiptarë rreth opozitës në protestat e saj, për shkak se në këtë muaj hyjnë në fuqi regjistrimi i biznesit të vogël si i madh, që pritet të vështirësojë situatën e tyre ekonomike, por dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike që do të prekë të gjitha familjet shqiptare. Këto situata të reja ekonomike, konsiderohen të favorshme për opozitën e cila do të ketë si armën e saj kryesore që nga janari, gjendjen ekonomike në vend. Vala më re e protestave të opozitës, vjen pas përfundimit të dy ultimatumeve ndaj qeverisë. Këto protestat janë të parat që prej 20 nëntorit. Edhe pse ultimatumi 10 ditor përfundoi më 3 dhjetor, socialistët nuk bënë asnjë reagim, pasi donin më parë të shihnin përmasat e mitingut festiv që qeveria dhe PD zhvilluan me rastin e 19 vjetorit të lëvizjes studentore, që solli dhe pluralizmin shqiptar. Partitë opozitare, të majta dhe të djathta i dhanë 10 ditë kohë qeverisë që të reflektonte për hapjen e kutive, pas protestës së fundit të saj në Tiranë më 20 nëntor, afat që u mbyll pa asnjë reagim nga qeveria. Gjithashtu dhe të zgjedhurit vendorë socialistë i kishin paraqitur një ultimatum qeverisë për plotësimin e pesë pikave që kanë lidhje me ruajtjen e autonomisë së këtij pushteti nga qeveria. Edhe ky ultimatum nuk mori asnjë përgjigje nga qeveria, përveç ftesës së zv.ministrave të ekonomisë për të dialoguar në lidhje me ligjin e ri të taksave. Protesta e opozitës dhe mostërheqja e qeverisë nga moshapja e kutive, rriti dy javët e fundit tonet mes pozitës dhe opozitës. Qeveria akuzoi drejtuesit e PS-së për kupolë mafiozo -  puniste, që orientohet nga lejet e ndërtimit të bashkisë, ndërsa nga ana e tyre iu drejtuan prokurorisë duke depozituar padi penale duke i quajtur shpifje. Të mbledhur sërish, si grupi i deputetëve socialistë ashtu dhe të zgjedhurit vendorë, i kërkuan sërish qeverisë të hapë kutitë ose të largohet, duke përcaktuar dhe sloganin e ri të protestave, “Hap kutitë ose largohu”. 

Grafiku i protestave të PS

14 dhjetor     Durrës 15 dhjetor     Berat 16 dhjetor     Asambleja 17 dhjetor     Elbasan, Korçë 18 dhjetor     Fier, Vlorë 19 dhjetor     Lezhë, Shkodër 20 dhjetori     pushim 21 dhjetor     Tiranë

Këshilli Bashkiak

Poni: Do kërkojmë shkarkimin e Ramës
Anëtarët e PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në mbledhjen e radhës do të kërkojnë shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Edi Rama, për abuzime me lejet e ndërtimit. Kjo bëhet e ditur në një deklaratë për shtyp nga grupi partiak i PD në këtë Këshill. “Grupi i këshilltarëve demokratë do të kërkojë në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Tiranës shkarkimin tuaj nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Këshilli Bashkiak i Tiranës do të të shkarkojë ty për dëmet dhe krimet monstruoze ekonomike, dhe jo vetëm kaq, por do të kërkojë rivendosjen e normalitetit dhe vendimmarrjet e tua që kanë dëmtuar rëndë qytetin e Tiranës, siç është rasti i tokës dhënë besnikut tënd tek Parku “Rinia” etj, etj”. Në deklaratën për shtyp, Partia Demokratike, grupi i këshilltarëve në Këshillin e Bashkisë Tiranë u shprehën gjithashtu dje se “Opinioni publik është njohur me fakte të pakundërshtueshme që vërtetojnë kapjen e Ramës nga kupola e krimit ekonomik”. Në cilësinë e kryetarit të Grupit të Këshilltarëve Demokratë në Këshillin Bashkiak, Ferdinant Poni, njëkohësisht zv/ministër i Brendshëm e argumentoi e akuzoi Ramën për nënshtrim ndaj interesave abuzive të mafies së ndërtimit. “Rama është inspirues të shkatërrimit urban Tiranës, shkelje flagrante të ligjit, si dhe abuzime monstruoze me pronën publike dhe interesave të qytetarëve të kryeqytetit”.

PS: Berisha t’i përgjigjet padive
I menjëhershëm ishte reagimi i selisë rozë ndaj deklaratës së këshilltarëve të PD-së dhe kreut të tyre, zv.ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni. “Karagjozllëku me të vërtetën e me opinionin publik s’ka të sosur. Del Poni i listave të manipuluara e kutive të mbyllura dhe kërkon shkarkimin e Ramës si kryetar bashkie me akuzat që Edi Rama i ka çuar në gjykatë e në prokurori!”, u shpreh zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj. Sipas PS-së, kjo kërkesë vjen për shkak të presionit të madh të opozitës për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit. “Këta zotërinj janë kapur mat te kutitë e mbyllura dhe çfarë nuk hapin e përhapin për të shpërqendruar vëmendjen. E kanë të kotë, nuk i shpëtojnë dot ballafaqimit me të vërtetën, duke ngritur një mal shpifjesh e intrigash për t’i larguar sytë e shqiptarëve nga krimi i fshehur në kutitë e 28 Qershorit”, u shpreh Imeraj. Ajo i kërkoi Kryeministrit Berisha të faktojë akuzat që ka bërë ndaj Ramës në gjykatë. “Sa për akuzat ndaj Ramës, janë dhjetë padi në gjykatë e dhjetë padi në prokurori që e presin Sali Berishën. Le të bëhet burrë e t’i faktojë ato akuza të turpshme për çdokënd, jo më për një kryeministër”, u shpreh Imeraj. Kreu socialist ka depozituar në prokurori 10 padi penale ndaj kundërshtarit politik Sali Berisha për shpifje.

Klosi: Të hënën protestë në Durrës
“Nga dita e hënë 14 dhjetor, Partia Socialiste e Shqipërisë, së bashku me opozitën e bashkuar qytetare, do të organizojë në të gjithë vendin një valë protestash popullore për t’i treguar Sali Berishës, kryeministrit të votave të vjedhura e kutive të mbyllura, se qytetarët duan zgjidhje për krizën ekonomike dhe mbrojtje për bizneset e tyre. Të hënën 14 dhjetor fillon me Durrësin protesta jonë njëjavore për krizën e demokracisë e të ekonomisë së familjeve shqiptare. Java e ardhshme do të jetë ura që do të lidhë protestat që lamë pas me protestat që do të rifillojnë edhe më fuqishëm pas Vitit të Ri”, u shpreh sekretari organizativ Blendi Klosi.

PD: Grupi PS, si polici private
Partia Demokratike ka akuzuar deputetët socialistë se po përdoren si polici private për interesa personale. “Reduktimi i Grupit Parlamentar në polici private, reduktimi i PS-së, në një sindikatë zaptuesish të trojeve publike, është sinjali më dëshpërues që mund të emetohet nga zaptuesi aktual i PS, për ata mijëra votues, anëtarë e simpatizantë që votën e dhanë me shpresën dhe besimin për një betejë politike e parlamentare e jo për politikë rruge e rrugaçësh”, tha deputeti demokrat Gent Strazimiri. Sipas deputetit demokrat, për maxhorancën nuk ka kthim mbrapa në zbatimin e ligjit. 

Deputetët e PS në Orikum për tokën
VLORE - Deputetët socialistë të Vlorës, bashkë juristë kanë zhvilluar dje një takim me banorët e Orikumit, të cilët kërkojnë përfitimin e pronës sipas ligjit 7501. Synimi i takimit ka qenë trajtimi i zgjidhjes përfundimtare të marrjes së tokave nga ish-punëtorët e NB-së si dhe kanë debatuar për projektligjin më të fundit të kryeministrit Berisha që u jep ish-punëtorëve të NB-së nga 500m 2. Juristët kanë sugjeruar zgjidhje institucionale si dhe vazhdimin e kërkimit të këtyre të drejtave me anë të gjyqësorit deri në Strasburg, duke pohuar se banorët kanë të drejtë. Deputetë u shprehën se do të jenë mbështetës në këtë çështje. Çështja e tokës në Orikum u bë objekt konflikti mes ish-punëtorëve të NB-së dhe pronarëve të vjetër të saj. q.b

PS, Balla: Kutitë po hapen në Rumani    
Partia Socialiste tha dje se vetëm në Iran e Shqipëri hapja e kutive është e pamundur. Deputeti socialist Taulant Balla tha se rinumërimi i votave po bëhet dhe në Rumani pas balotazhit presidencial. “Në Rumani, filloi dje procesi i rinumërimit dhe rivlerësimit të votave dhe bëhet fjalë për një vend ku kanë marrë pjesë më shumë se 10 milionë votues dhe ku ka pasur 140 mijë vota të pavlefshme. Vetëm në Iran dhe në Shqipëri nuk hapen kutitë. Prandaj sot ka vetëm një kusht: Sali Berisha o hap kutitë, ose largohu”, deklaroi Taulant Balla. Deklaratës së Ballës iu përgjigj dje deputeti demokrat Viktor Gumi. “Në Rumani ka qenë një vendim gjykate që ka urdhëruar hapjen e kutive të votimit dhe  diferenca midis kandidatëve ka qenë më e pakët sesa numri i votave të pavlefshme. Sipas tij, realiteti shqiptar mbështetet në një terren të fortë juridik. “Ne kemi vendime të KQZ, të cilat janë përfundimtare dhe janë me forcën e ligjit për këdo qytetar në Republikën e Shqipërisë kemi vendime të kolegjit zgjedhor, të cilat janë përfundimtare të formës së prerë”, tha Gumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›