E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Gjykata e Lartë hap dy gjyqe ndaj Mediut

 

Armand Bajrami

Ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, përballet përsëri në Gjykatën e Lartë, me akuza që kanë lidhje me shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Gjykata e Lartë pranoi dje shqyrtimin e padive penale të dy të plagosurve në tragjedinë e Gërdecit, Roxhers Durdaj dhe Alketa Azizaj. Palë e paditur në këto dy çështje është ish-ministri i mbrojtjes, Mediu. Në paditë e depozituara rreth një muaj më parë Durdaj dhe Azizaj i kërkojnë gjykatës “deklarimin fajtor të ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu, për kryerjen e veprës penale të ‘plagosjes së rëndë nga pakujdesia”. Të dy akuzuesit janë plagosur rëndë nga shpërthim në Gërdec. Dje gjykata përzgjodhi me short emrat e gjyqtarëve që do të jenë në kolegjet penale në shqyrtimin e këtyre padive. Referuar shortit me gogla të gjykatës, çështja në ngarkim të Fatmir Mediut me të dëmtuar akuzues Roxhers Durdaj, do të ketë si relator, gjyqtaren Arjana Fullani. Anëtarë të kolegjit penal do të jenë gjyqtarët Gani Dizdari, Mirela Fana, Majlinda Andrea dhe Aleksandër Muskaj. Sipas shortit të djeshëm, relator në çështjen me të dëmtuar akuzuese Alketa Hazizajn, do të jetë gjyqtari Andi Çeliku. Ndërsa anëtarë të pesëshes gjykuese u përzgjodhën gjyqtarët Ardian Nuni, Irma Bala, Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qiriako.
ISH-MINISTRI
Ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht ministër i Mjedisit, ishte një nga të akuzuarit e Prokurorisë së Përgjithshme në dosjen “Gërdeci”. Pas dërgimit të dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, një vendimi datës 22 maj 2009 i kësaj gjykate veçoi çështjen në ngarkim të Mediut nga pjesa tjetër e të pandehurve (28 persona dhe kompania “Albademil” si person juridik). Sipas këtij vendimi, vetëm ish-ministri do të gjykohej në Gjykatën e Lartë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, në lidhje me shpërthimin në Gërdec, ndërsa të pandehurit e tjerë u dërguan për kompetencë në gjykatën e kryeqytetit. Pas disa seancash të dështuara për arsye të ndryshme, në 14 shtator të këtij viti Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes penale në ngarkim të ish-ministrit. Shkak u bë mandatimi i tij si deputet dhe më pas dekretimi si ministër i Mjedisit në qeverinë e formuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të Fatmir Mediut për aq sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit”, thuhej në vendimin e kolegjit penal, që vendosi pushimin e çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›