E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha të bëjë transparencën e letrës nga SHBA-të

16/08/2010 Kërkesa e Partisë Socialiste

Partia Socialiste i është rikthyer përsëri ditën e djeshme kërkesës së saj drejtuar kryeministrit Sali Berisha për të bërë transparente letrën-ankesë që ajo pretendon se është dërguar në adresë të Departamentin Amerikan të Shtetit. Zëdhënësja e PS-së Armela Imeraj ka thënë se tashmë të gjithë e dinë se kreu i qeverisë asnjëherë nuk e thotë të vërtetën. “Sot ne i kërkojmë Sali Berishës të zbardhë përmbajtjen e letrës-ankesë të dërguar në departamentin e shtetit. Çfarë shkruhej në atë letër? Cilat ishin akuzat që ajo përmbante? Pse fshihet kjo letër dhe mbahet sekret nga sytë e publikut? Cilat ishin akuzat e Ilir Metës dhe Sali Berishës të hedhura poshtë nga Departamenti amerikan i Shtetit?” - ka thënë zëdhënësja socialiste. Duke përcjellë qëndrimin e PS-së, zëdhënësja theksoi se qytetarët shqiptarë janë njohur ditët e fundit me një letër të dërguar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që i tërhiqte vëmendjen qeverisë shqiptare për krizën politike dhe ndërhyrjen e ekzekutivit mbi pavarësinë e institucioneve të ndryshme, si gjykata dhe SHISH-i. Imeraj theksoi se të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjigje. “Sali Berisha të zbardhë letrën që ka dërguar ministri i tij i Punëve të Jashtme. Përgjigja e departamentit të shtetit tregon mbi rëndësinë e letrës, e cila sot duhet bërë publike”, - tha zëdhënësja e PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›